Sabela: Gjermaninë do e shkatërrojmë me ofensivën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 13:40

Sabela: Gjermaninë do e shkatërrojmë me ofensivën

Alehandro Sabela, trajneri i Argjentinës, së bashku me yjet e tij ka mbërritur në Frankfurt për të zhvilluar miqësoren ndaj Gjermanisë. Duke qenë se synimi i tij është fitorja e Botërorit 2014, ai do të testojë të tijtë përballë “pancerave”, të cilët i sheh si ndër konkurrentët më të fortë të Evropës. Gjatë një interviste për revistën gjermane “Kicker”, 57-vjeçari argjentinas parashtron projektin e tij me kombëtaren, skemën anti- Gjermani, si dhe u është kundërpërgjigjur kritikave që i janë bërë për mbrojtjen dhe “shterpësinë” e Mesit me fanellën e kombëtares. “Ne kemi në skuadër lojtarin më të mirë të botës, Mesin, gjithashtu një Gonzalo Higuain, Di Maria, Aguerro dhe shumë të tjerë që po bëjnë diferencën dhe që kanë fituar tituj me klubet e tyre evropiane. Do ishte gabim fatal, nëse këtë klas botëror nuk e përdornim siç duhet në sistemin tonë ofensiv. Kualiteti na imponon të dhurojmë më shumë spektakël, gola dhe rrezik. Kjo skemë do të përdoret edhe ndaj Gjermanisë, ndaj të cilës duam të fitojmë me patjetër”, – nënvizoi Sabela, duke reaguar mbi kritikat ndaj Mesit: “Përgjithësisht jam i mendimit se Mesi ka luajtur shumë mirë me kombëtaren dhe ka qenë protagonist i sukseseve tona. I vetmi boshllëk ishte mungesa e golave në 2010-n. Por, kjo ka të bëjë shumë edhe me stilin e lojës. Ndoshta duhet t’i japim rëndësi lojës vertikale, dhe kjo është një nga planet e mia. Mendoj se kritikët kanë pasur një këndvështrim të gabuar, kur bëjnë lidhjen mes Barcelonës dhe Argjentinës. Ju siguroj se Mesin do e shihni edhe më mirë se kaq. Ai ende nuk ka dhënë maksimumin e tij. Nëse Lioneli depërton thellë në mesfushën ofensive, ai i tregon shumë qartë aftësitë e tij gjeniale”,- përfundoi trajneri i Argjentinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"