“Sa mirë që e gjeta Vlorën”, Erik Flores: I takojmë Superiores, nuk dilnim duarbosh nga Korça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2022 | 23:25

“Sa mirë që e gjeta Vlorën”, Erik Flores: I takojmë Superiores, nuk dilnim duarbosh nga Korça

Erik Flores “shpëtoi” Flamurtarin nga humbja. Goli i brazilianit ishte sa i bukur, aq edhe i vlefshëm për skuadrën e Marcelo Troisit. Ruajtën të pathyeshëm dhe vendin e parë, ndonëse Dinamo i ka barazuar me pikë. Sulmuesi është i lumtur që gjeti sërish rrjetën dhe ndihmoi ekipin në këtë transfertë të vështirë.

Flores

Për “Panorama Sport”, 33-vjeçari deklaron se skuadra dëshmoi se i takon elitës. “Normalisht që më gëzon shumë fakti që shënova dhe ndihmova skuadrën për të marrë një pikë shumë të vlefshme në transfertën e Skënderbeut. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por më në fund arritëm të bënim mirë dhe të mos dilnim duarbosh nga Korça.

Luajtëm një ndeshje të mirë. Reagimi i skuadrës ishte i mahnitshëm, sidomos në pjesën e dytë ku shfaqëm të gjithë potencialin tonë. Jam sërish unë autor i golit. Dua të falënderoj Zotin për gjithçka. Tani na mbetet që të shikojmë përpara. Ndeshjet duhet që t’i marrim me radhë dhe duhet të mendojmë vetëm për të arritur objektivin. Kjo skuadër e meriton që të shkojë në Superiore.

Të gjithë po bëjmë më të mirën dhe po punojmë për të arritur objektivin e klubit. Jam optimist se do të na shpërblehet gjithçka që duam të arrijmë me këtë punë që po bëjmë të gjithë bashkë. Flamurtari është një skuadër shumë e mirë. Ne lojtarët brazilianë që kemi ardhur këtë sezon në Vlorë, po ndërthuremi mjaft mirë me grupin e lojtarëve. Kjo gjë më kënaq shumë dhe më jep shpresa të mëdha për të ecur përpara e për të synuar elitën”, shprehet fillimisht anësori i kuqezinjve.

RIKTHIMI

Me këtë ecuri pozitive edhe në aspektin personal, Erik Flores është i kënaqur që gjeti Vlorën: “Jam shumë i gëzuar që jam këtu në Vlorë. Po ashtu i lumtur që jam rikthyer në Shqipëri.

Do të takoj të gjithë miqtë e mi përsëri, pasi kam shumë këtu. Do të bëj një punë të mirë për të arritur objektivin që kemi. Kam bërë zgjedhjen e duhur dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse të vazhdoj me këtë ritëm dhe të ndihmoj skuadër për të arritur objektivin që kemi”.

E ARDHMJA

Për të menduar për të ardhmen i duket ende herët. Braziliani ka vetëm një objektiv, të ngjisë Flamurtarin në Superiore dhe pastaj do të mendojë se çfarë do të bëjë në aspektin personal.

“Objektivi im i parë është që të ngjitemi në Superiore. Këtë gjë po mendoj tani. Nuk kam kohë dhe nuk mendoj tjetër gjë, por jam duke menduar vetëm për të mirën e ekipit. Pastaj me të parë dhe me të bërë. Do të shikojmë çfarë do të bëjmë. Por të realizojmë fillimisht objektivin që kemi dhe pastaj të mendojmë për të tjerat”, përfundon Flores.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"