Rrëfimi special, Darko Kovaçeviç: Zidan do ta stërvisë Juven, Vlahoviç bomberi ideal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 23:51

Rrëfimi special, Darko Kovaçeviç: Zidan do ta stërvisë Juven, Vlahoviç bomberi ideal

“Kam luajtur me të dyja skuadrat, por zemra ime është juventine. Dy vitet si bardhezi kanë qenë vërtet speciale, pasi kam ruajtur kujtime shumë të bukura. Tani, si tifoz shpresoj vetëm që Juventusi të mund të rikthehet të fitojë Champions-in”.

Progetto-senza-titolo-38-768x432

Fjalët i përkasin Darko Kovaçeviçit, një gjiganti që mes viteve ’90-2000 ka luajtur si për Juventusin, ashtu sikurse për Lacion, ndonëse shenjën e ka lënë sidomos për ngjyrat bardhezi. Dhe në vetëm 2 vite ai u bë dhe mbetet një beniamin i populli bardhezi.

“Juventusi është shumë i dashur në të gjithë botën, por vetëm kur bëhesh pjesë e kupton rëndësinë e këtij klubi. Dhe unë pata fatin që të isha pjesë e tyre në vitet kur me ta luante edhe lojtari më i fortë në botë, Zinedin Zidan. Pastaj kampionë madhështorë ishin edhe Del Piero, Davids, Trezege e Takinardi, të cilët përpara se të ishin fenomenë në fushë ishin burra të mëdhenj”.

Darko, çfarë të ka mbetur në mendje nga bota bardhezi?

Fakti që tek Juventusi, çdo ndeshje duhet ta luash për ta fituar. Ajo është e vetmja gjë që ka rëndësi aty. Në nivel personal dopieta kundër Interit në “San Siro” ishte momenti më i bukur.

Duke mbetur te golat dhe goleadorët, mendon se sulmi i Juves është në duar, më saktë në këmbë të sigurta me Vlahoviçin?

Dushan po shndërrohet në një kampion. E di që ndihet shumë i lumtur te Juvja, por mbi të gjitha po tregon se e ardhmja do të jetë e tij. Pastaj Juvja është klubi i duhur për t’u bërë një ndër sulmuesit më të fortë në botë dhe 15 golat e këtij sezoni janë të rëndësishëm, ndonëse mund të bëjë më shumë herë se kaq. Më vjen keq vetëm që Vlahoviç nuk do të jetë të shtunën ndaj Lacios (i skualifikuar për kartonë).

Ndërsa Kostiç ka hyrë papritur në krizë, pas shkëlqimit të vjetshëm…

Momente të tilla u ndodhin kujtdo, ndonëse Filip nuk diskutohet. Janë pak në qarkullim që krosojnë si ai për sulmuesit e fortë me kokë. Mua do të më kishte pëlqyer të kisha një si Kostiç kur luaja…

Në mbrojtje Juvja po ndjek në tjetër bashkatdhetar tuajin, Pavloviç të Salcburgut. Është gati për një klub të madh?

Do të ishte perfekt dhe nuk e them sepse është serb. Pavloviç është shumë i fortë në markim dhe mund të luajë qetësisht titullar në një skuadër të madhe. Është mëngjarash dhe për cilësi mund të përshtatet menjëherë në sistemin mbrojtës të Juves. Pastaj me Bremerin do të krijonin një dyshe shumë të fortë.

Po Samarxhiç?

Lazar është një talent, por ka nevojë për hapësirë dhe vazhdimësi. Në kombëtaren serbe është i mbyllur nga Tadiç, ndonëse ky është 36 vjeç. Prandaj, edhe koha e tij do të vijë shpejt. Por në Torino do e shihja shumë mirë.

Lacio ndërkohë është zhytur poshtë, thellë, pa Milinkoviç-Saviçin…

Ishte vendimtar për ta dhe kanë humbur shumë pa të. Sergej është një kampion që bën 10 gola dhe 10 asiste në kampionat. E vështirë të gjesh një tjetër të tillë, por më vjen habi që Juvja nuk këmbënguli pak më shumë.

Miku dhe ish-shoku juaj i skuadrës te Juvja, Igor Tudor, sapo ka zbarkuar në stolin e Lacios. Si e shihni?

Igor është perfekt për Lacion. Mbërritja e tij do të japë tronditjen e duhur për të zgjuar skuadrën dhe jam i bindur që do ia bëjë ferr jetën Juves në ndeshjen e së shtunës. Tudor është shumë i zoti dhe e ka treguar në Verona e Marsejë, pasi bën jo vetëm një futboll të bukur, por i pëlqen që të jetë agresiv në fushë, përveç se është shumë inteligjent taktikisht.

Duke mbetur te trajnerët, Juvja e kohëve tuaja ka qenë një “kuzhinë” e pabesueshme trajnerësh të sotëm…

Ishte një skuadër e mbushur me persona me personalitet, ndaj nuk jam aspak i habitur që Konte, Montero, Pipo Inzagi dhe Tudor janë bërë trajnerë.

Po Zidani?

Ka marrë nga Ançeloti qetësinë dhe që të dijë të menaxhojë një skuadër të mbushur me kampionë të mëdhenj. Zizu ka dashur një shumë të madhe për Juventusin dhe nuk e ka fshehur kurrë. Një ditë do të jetë trajneri i Juves, jam i sigurt, por nuk e di se kur…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"