Rrahmani, Qose dhe Dosti, tri risitë ndaj San Marinos…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2014 | 9:15

Rrahmani, Qose dhe Dosti, tri risitë ndaj San Marinos…

RrahmaniTrajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, vijon revolucionin në skuadrën që drejton. Pas Etrit Berishës, Erjon Dushkut, Elseid Hysajt, Mërgim Mavrajt, Renato Arapit, Alban Mehës, Burim Kukelit, Bruno Telushit, Migjen Bashës, Valdet Ramës, Hair Zeqirit, Erjon Vucajt, Armando Vajushit, Bekim Balës, Armando Sadikut, Edgar Çanit, Ergys Kaçes, Vullnet Bashës, Ilir Berishës, Amir Abrashit, Loret Sadikut, Agon Mehmetit, Shkëlzen Gashit, Ermir Lenjanit, Fidan Alitit, Azdren Llullakut, Taulant Xhakës, Jurgen Gjasulës, Sokol Cikalleshit, tekniku italian ka grumbulluar për herë të parë në një ndeshje të ekipit përfaqësues: Armir Rrahmanin, Kristi Qosen dhe Albi Dostin. Lajmi është bërë publik ditën e djeshme nga vetë tekniku kuqezi. Ai u ka dërguar ftesa dje në mëngjes të tre lojtarëve, të cilët do t’i ketë në dispozicion për ndeshjen ndaj San Marinos. Duke parë edhe kundërshtarin më se modest, italiani kërkon që të kryejë sa më shumë eksperimente me lojtarë të rinj, të cilët mund t’i bëjnë punë në një të ardhme të afërt. Në fakt, Rrahmani dhe Qose janë fare të rinj dhe luajnë ende me Kombëtaren Shpresa të Shqipërisë, ndërsa Dosti e ka kaluar moshën për këtë skuadër, pasi sot është 23 vjeç. Që të tre lojtarët kanë udhëtuar dje në mënyrë individuale nga vendet e tyre: Rrahmani nga Kosova, Qose që nga Greqia ku jeton prej vitesh me familjen, ndrysa Dosti nga Durrësi. Ata i janë bashkuar dje në mbrëmje ekipit në San Marino dhe sot do të vijojnë stërvitjen nën mbikëqyrjen e stafit teknik. Amir Rrahmani është i datëlindjes 24 shkurt 1994, i lindur në Prishtinë. A ka pasaportë shqiptare dhe luan në rolin e qendërmbrojtësit. Me Kombëtaren Shpresa ka zhvilluar 4 ndeshje, por më së shumti ka shpërthyer sivjet te Partizani, duke qenë një pikë e fortë në mbërritjen e skuadrës së kuqe. Kristi Qose ka lindur në Korçë, por jeton prej vitesh në Greqi me familjen. Ai është rritur në akademinë e PAOK-ut të Selanikut, ku luan edhe Ergys Kaçe. Qose është mbrojtës dhe ka luajtur 3 ndeshje me Kombëtaren shqiptare U-19. Së fundmi ai është thirrur edhe nga Shpresat. Ndërsa Albi Dosti ka luajtur 5 ndeshje me Shpresat dhe aktualisht është pjesë e Teutës së Durrësit në Superiore.

Dëmtimi, Ermir Lenjani mungon me San Marinon
Ermir Lenjani nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për sfidën e fundit miqësore. Shkak është një dëmtim muskulor, i cili e lë lojtarin jashtë skuadre. Lenjani është një nga lojtarët e afruar rishtazi nga De Biazi në skuadër. Ai u grumbullua fillimisht vitin e shkuar në verë, por debutoi vetëm në miqësoren ndaj Bjellorusisë (0-0), e luajtur në Turqi. Në atë takim mëngjarashi luajti për 90 minuta. Më pas, ai u grumbullua për ndeshjet e këtij muaji, duke luajtur 45 minuta ndaj Rumanisë (u zëvendësua në pushim të ndeshjes nga Valdet Rama), teksa luajti si titullar deri në fund të takimit me Hungarinë. Këto janë tri ndeshjet e vetme të Lenjanit me Kombëtaren shqiptare. Gjithsesi, lojtari ka treguar se është një vlerë e shtuar e kuqezinjve.

De-Biazi-dhe-Bushi-ne-stolin-kuqezi-1024x766De Biazi: E hidhur të humbësh ndaj një ekipi inferior
Xhani De Biazi nuk e ka kapërdirë dot humbjen kundër Hungarisë. Jo sepse Shqipëria u thye nga një penallti e dyshimtë, por sepse sipas trajnerit të kuqezinjve nuk është aspak e bukur të humbësh kundër një skuadre që nuk ishte superiore ndaj nesh. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ai la të kuptohej se shumë lojtarë ishin nën mesataren e tyre.
Mister, nga 1 deri te 10, çfarë note do t’i vinit skuadrës pas paraqitjes kundër Hungarisë?
Unë nuk vendos nota. Notat i vendosni ju gazetarët. Ju jeni të zotët për ta bërë këtë…
Pse Shqipëria vuan kaq shumë në sulm, pra pse nuk arrijmë të jemi më të qartë dhe më agresivë?
Sipas jush, pse?
Pyetja është për ju, ne gazetarët bëjmë pyetjet dhe ju jepni përgjigjet…
Vuajmë disi për arsyet që unë i kam thënë edhe herë të tjera, madje edhe në gazetën tuaj. Kemi disa mungesa të rëndësishme, kemi lojtarë jo fort të freskët dhe bëjmë aq sa na lejojnë të tjerët të bëjmë në fushë.
Cili është vlerësimi juaj për Hysajn dhe Vajushin?
Mendoj se duhet të bëjnë më shumë në të ardhmen.
Agolli luajti në pjesën e fundit të ndeshjes në krah të Kaçes si mesfushor qendre. Ishte zgjedhje taktike, apo nuk kishit alternativa?
Agolli luajti gjatë gjithë kohës në mesfushë.
Po, por fillimisht në krah dhe më pas u zhvendos në qendër, që nuk është pozicioni i tij…
Mendoj se Agolli luajti në një pozicion që di ta bëjë mjaft mirë.
Ç’mendim keni për penalltinë që vulosi ndeshjen?
Ishte një penallti që mund të evitohej, por ndoshta lodhja na dhuroi një surprizë të hidhur në fund të ndeshjes.
Çfarë nuk ju pëlqeu në veçanti nga kjo ndeshje?
Nuk më pëlqeu që humbëm kundër një skuadre që nuk ishte superiore kundrejt nesh për shkak të shumë paraqitjeve nën nivelin mesatar.
JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"