Rikthehet në stol pas 19 muajsh shkëputjeje, Ndreu: Erdha të ngjis Kastriotin, ja plani im për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2023 | 23:28

Rikthehet në stol pas 19 muajsh shkëputjeje, Ndreu: Erdha të ngjis Kastriotin, ja plani im për merkaton

Ramadan Ndreu u kthye në shtëpi. Pas 19 muajsh shkëputjeje, rimerr “timonin” e Kastriotit. I gjen krutanët në një situatë jo fort të mirë, e megjithatë është gati t’i ringrejë.

Dane Ndreu

Punë do të ketë vërtet shumë, pasi ka një ekip që duhet ribërë i gjithi. E megjithatë, ai ka treguar se sfida të tilla nuk e trembin. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 57-vjeçari tregon si shkoi drejt firmës me drejtuesit dhe planin për Kategorinë e Parë.

Riktheheni te Kastrioti pas më pak se dy vitesh, si ndiheni?

Është kënaqësi e veçantë për mua që të rikthehem në shtëpi. Gjithë karrierën time si futbollist dhe si trajner unë e kam kaluar te Kastrioti, ndaj këtu kam zemrën dhe shpirtin.

Me çfarë misioni vjen “Dania” në krye të pankinës?

Kthehem me dëshirë dhe me shpresën e madhe për ta rikthyer Kastriotin aty ku i takon, në Superiore.

Si u arrit marrëveshja me presidentin Alban Vogli?

Marrëveshjen me presidentin? Ka qenë gjithnjë e arritur. Edhe ndarja para një viti e gjysmë, ishte një ndarje mes miqsh. Na lidh miqësia me njëri-tjetrin, por edhe dëshira për të punuar bashkë. Përtej miqësisë, serioziteti në punë është primar. Edhe kur kemi punuar bashkë më parë kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Kështu që nuk më pengonte asgjë për të pranuar ftesën e presidentit Vogli për të marrë drejtimin e ekipit.

Mbi supe keni një eksperiencë të gjatë. Mendon se do t’iu ndihmojë kjo për të ngjitur Kastriotin?

Eksperienca për të bërë gjëra të mira nuk më mungon. Kastrioti nuk meritonte të binte nga Superiorja. Por ky është futbolli. Shpresoj që me përvojën e fituar ndër vite dhe mbështetjen e presidencës, shumë shpejt do të mbledhim lojtarët dhe të fillojmë nga puna për sezonin e ri.

Kemi një dyndje elementësh që dëshirojnë të bëhen pjesë e Kastriotit. Sigurisht që ata do t’i nënshtrohen një prove nga ku ne do të përzgjedhim më të mirët për të kompletuar grupin. Kanë mbetur disa nga futbollistët që kanë luajtur sezonin që u mbyll, por ndërkohë do të hyjmë në merkato dhe do të ketë afrime të reja cilësore, që të bëjnë diferencën dhe të mbetemi në garën për elitë.

Kategoria e Parë pritet vërtet e ashpër, me ekipe si Flamurtari, Elbasani, Bylisi dhe ndonjë tjetër. A mendoni se do të rivalizoni me to për një vend në Superiore?

Pa diskutim që janë ekipe me traditë e eksperiencë. Flamurtari, Elbasani, por edhe Apolonia, Korabi dhe Vora, ndërkohë që kanë bërë edhe përforcime. Kategoria e Parë është shumë e luftuar dhe me rivalitet të fortë, gjithsesi Kastrioti do të rivalizojë deri në fund të sezonit për të arritur Superioren.

Si e pritën tifozët rikthimin tuaj?

Me tifozët kam një lidhje zemre, shpirtërore prej më shumë se 25 vitesh dhe nuk ndahemi kurrë. Ata nuk na kanë braktisur asnjëherë. Kastrioti do t’i zhvillojë ndeshjet zyrtarë në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës dhe kjo do të bëjë që ata të jenë shumë afër nesh. Tifozët do të vazhdojnë të jenë mbështetja jonë e madhe, ndërkohë që na është premtuar që në janar 2024 të fillojë rikonstruksioni i stadiumit “Kastrioti”.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"