Rikthehet në Shqipëri me një zv. trajner brazilian, Flores: Flamurtari klub i madh, ja përse u vonova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2022 | 13:28

Rikthehet në Shqipëri me një zv. trajner brazilian, Flores: Flamurtari klub i madh, ja përse u vonova

Flamurtari prezanton Erik Floresin. Më 27 gusht erdhi në Vlorë, ndërsa dje u vesh zyrtarisht kuqezi. Ashtu sikundër “Panorama Sport” paralajmëroi në numrin e djeshëm, braziliani është vënë më në fund në urdhrat e stafit teknik.

flores

Me ardhjen e tij, vjen zgjidhja për sulmin dhe mbi të gjitha për golat. Në ofensivë kanë vuajtur jo pak dhe eksperienca e 33-vjeçarit, do të jetë një ndihmë e madhe.

Braziliani e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar, pasi më parë ka luajtur për Kukësin. Lojtari 1.69 metër i gjatë mbahet mend mirë nga tifozët veriorë dhe jo vetëm për atë që dha në sezonin 2015-2016.

Në 42 ndeshje që u aktivizua, ai e gjeti 9 herë rrjetën. Ndonëse rrugës nuk e ndoqi fati. Ai mori një dëmtim të rëndë në gju, i cili e detyroi fantazistin brazilian që të qëndronte gjashtë muaj larg fushave.

CV-ja e mëtejshme e tij është vërtetë mbresëlënëse, por ajo që ka joshur më së shumti vlonjatët është pa dyshim performanca fantastike me kuksianët.

FLORES – Menjëherë pas prezantimit, Erik Flores dha për “Panorama Sport” edhe deklaratën e tij të parë si “vlonjat”. Sulmuesi është i lumtur që ka rigjetur Shqipërinë, ndonëse me një tjetër ekip tashmë.

Ai thekson se ka ardhur në një klub të madh dhe e vetmja gjë që i mbetet është të zbresë në fushë dhe të japë kontributin e tij.

“Jam shumë i lumtur që rikthehen në Shqipëri dhe që jam pjesë e Flamurtarit. Është një klub i madh dhe me traditë. Jam këtu për të bërë maksimumin për arritjen e objektivave të klubit. Vonesa e mbërritjes në Vlorë ishte për shkak të dokumentacionit. Kjo çështje tashmë u zgjidh dhe jam shumë i kënaqur për nisjen e kësaj aventure të re”, shprehet Flores.

STAFI – Flamurtari kompleton edhe stafin teknik. Një tjetër brazilian, do të jetë i djathti i Marcelo Troisit. Bëhet fjalë për Leonardo Rodrigo da Silva Martins, që ka marrë zyrtarisht detyrën e zëvendëstrajnerit.

Ai e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar. Si futbollist ka luajtur te Skrapari, Shkumbini, Gramozi dhe Himara. Ndërsa më herët ka pasur aventura në Gjermani tek Union Berlin, si dhe në disa ekipe braziliane si Sparta, Flamengo, Tres Coracoes, Fabril dhe Minas EC.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"