F.Tafaj te Dinamo, firmos 1 vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2013 | 16:21

F.Tafaj te Dinamo, firmos 1 vit

TafajDinamo thuajse e ka konkretizuar skuadrën e sezonit të ri. Dje janë firmosur 75% e kontratave, ndërsa pritet që lista të përmbyllet shumë shpejt, pasi ka futbollistë që nuk kanë gjetur ende marrëveshje me klubin. Surpriza ka qenë rikthimi i mbrojtësit të qendrës, Fatjon Tafaj, i cili arriti akordin financiar me drejtuesit e klubit duke firmosur një kontratë 1- vjeçare. Ish-kapiteni i Partizanit, Tafaj, e ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Dinamos paraditen e djeshme dhe pasdite ka qenë i pranishëm në stërvitje së bashku me grupin. Këtë sezon kontratat do të jenë 1+1, me të drejtë rinovimi nga klubi. Por, në bazë të objektivave që ka vendosur klubi në muajin janar, kur zhvillohet merkatoja dimërore, do të ketë dhe një rishikim të kontratave, pasi do të ketë dhe lojtarë që mund të largohen ose të tjerë që do firmosin për më gjatë.
Në mëdyshje – Përveç lojtarëve që firmosën dje, ka pasur dhe të tjerë që s’e kanë arritur ende akordin. Bëhet fjalë për mesfushorin Andrea Kule, si dhe sulmuesit Agastra e Allkanjari. Për sa i përket sulmuesit Bledar Marashi, ai ka qenë i pranishëm në stërvitjen e djeshme dhe do të vëzhgohet disa ditë nga stafi teknik, i cili më pas do të japë verdiktin përfundimtar. Për t’u theksuar është se jo vetëm te Dinamo, por në të gjitha skuadrat e Kategorisë së Parë mungojnë sulmuesit e “racës”. Ndaj edhe drejtuesit e klubit të Dinamos janë hedhur në sulm për të gjetur një lojtar për ofensivën.
Largimet – Mesfushori Ervin Malasi nuk ishte i vetmi që nuk gjeti akordin me blutë, pasi e njëjta gjë ndodhi edhe me një pjesë të konsiderueshme lojtarësh, të cilët ishin afruar te kjo skuadër. Ndërkohë sulmuesi Mateus Shkreta, i cili erdhi nga ekipet zinxhirë të Spartës së Pragës, si dhe mbrojtësi i krahut të majtë, Jurgen Ahmetaj, që do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës Sanvitese në Itali, nuk do të jenë pjesë e dinamovitëve. Mirëpo, përveç këtyre emrave, pritet të ketë edhe të tjerë në ditët në vijim, pasi stafi teknik dhe klubi do të mbajnë në gatishmëri vetëm 25 lojtarë.

Përplas kokën në pllaka, Sejdini përfundon në spital
Lojtarët blu gjithnjë pas stërvitjes së mëngjesit, e cila është me ngarkesë të lartë, u drejtohen pishinave për t’u relaksuar. Kjo është pjesë e programit të stërvitjes, por edhe një mundësi e krijuar nga klubi. Mirëpo, dita e djeshme ka rezultuar me pasoja për një nga futbollistët e Dinamos. Portieri elbasanas i afruar gjatë merkatos verore, Jurgen Sejdini, pas stërvitjes së djeshme ka pësuar një incident. Së bashku me lojtarët e tjerë të bluve, ai ka qenë në momente relaksi në kompleksin “Akuadrom”, por gjatë një hedhjeje në ujë ka përplasur kokën në pllakat e pishinës. Menjëherë portieri është dërguar në spital, ku është qepur plot shtatë herë. Në këto kushte, nga stafi mjekësor i Dinamos mësohet se ai do të mungojë minimalisht një javë në seancat stërvitore të skuadrës.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"