Redon Mihana, në formë: Kastrioti luan një finale kundër Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2023 | 21:10

Redon Mihana, në formë: Kastrioti luan një finale kundër Bylisit

Redon Mihana po rezulton një prej goditjeve më të rëndësishme të Kastriotit në merkaton e janarit, teksa iu bashkua krutanëve pas angazhimit me Egnatian në pjesën e parë të këtij sezoni. Sulmuesi i krahut ka shënuar tre gola deri më tani dhe i fundit ishte pikërisht ai në portën e Laçit, që i hapi rrugën fitores 2-1.

mihana

Lojtari 23-vjeçar, në një prononcim për “Panorama Sport”, tregon për momentin e mirë që po kalon në radhët e Kastriotit, si dhe besimin që ka se mund të mbijetojnë këtë sezon në Superiore. “Sigurisht që jam shumë i kënaqur për golin që shënova ndaj Laçit, pasi vij nga momente jo të mira deri më tani. Nuk jam aktivizuar shumë, por rëndësi ka që po gjej veten dhe kam fituar formën më të mirë. Jam i lumtur te Kastrioti dhe më shumë pas kësaj fitoreje që arritëm ndaj Laçit. Nëse nuk do të merrnim tri pikë edhe goli im nuk do të kishte vlerë”, ka thënë fillimisht Mihana.

SFIDA E RADHËS – Kastrioti luan të dielën në fushën e vet ndaj Bylisit një ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e këtij kampionati. Për Mihanën ky takim duhet fituar për të mbajtur gjallë shpresën. “Sfida ndaj Bylisit është si finale ose më saktë si të gjitha ndeshjet e tjera deri në fund, ku nuk na lejohen gabimet. Ne çdo ditë stërvitemi dhe punojmë me seriozitet në seancat stërvitore. Shpresojmë të fitojmë këtë ndeshje dhe të jemi më të qetë për vazhdimësinë”, theksoi sulmuesi i krutanëve, ndërsa në fund foli edhe për ndryshimin që ka sjellë në skuadër trajneri Emiljano Çela.

“Trajneri Çela na rikthyer besimin. Tashmë kemi më tepër besim në vetvete se gjithçka mund të arrihet me përkushtim dhe seriozitet. Kjo duket qartë në kohët e fundit edhe në përmirësimin e lojës, si dhe shpirtin e garës që po tregojmë si ekip”, përfundoi titullari i Kastriotit, i cili ka qenë një premtim i madh në futbollin shqiptar, por pas kalimit te Dinamo dhe më pas tek Egnatia, nuk arriti të shpërthente dot për të qëndruar në nivele të larta.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"