Reagon Partizani: Rrahmani i yni, presim të firmosim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2013 | 12:20

Reagon Partizani: Rrahmani i yni, presim të firmosim

RrahmaniLajmi që mbrojtësi kosovar i Drenicës, Amir Rrahmani, është kontaktuar nga drejtuesit e Skënderbeut, të cilët i kanë bërë edhe ftesë për t’iu bashkuar ekipit të tyre, nuk është kaluar në heshtje në kampin e kuq. “Kam pasur kontakte me Skënderbeun. Ata kanë shprehur interesim për mua”. Kështu ka deklaruar për “Panorama Sport” Rrahmani, i cili gjithsesi duhet thënë se u ka qëndruar besnik të kuqve, duke shtuar se është në pritje të një firme me ta. Ndryshe nga lojtari tjetër, Leonit Abazi, i cili edhe pse u zbulua nga Partizani (madje ishin drejtuesit e këtij të fundit që e sugjeruan në Kombëtaren e 21-vjeçarëve), i braktisi “demat” dhe u bashkua me kampionët, Rrahmani është në pritje të konkretizojë marrëveshjen e tij. Duhet thënë se ky futbollist është një garanci më shumë për të ardhmen e të kuqve, pasi është 19 vjeç dhe është grumbulluar në përfaqësuesen e 20-vjeçarëve.
Deklarata – Ndryshe nga rasti i Abazit, kur drejtuesit e Partizanit nuk reaguan publikisht, por kaluan gjithçka në heshtje, këtë herë e kanë bërë një gjë të tillë, edhe pse shumë shkurt. “Ne jemi të qetë, pasi kemi arritur një akord me lojtarin dhe shumë shpejt do të firmosim kontratën siç kemi rënë dakord më parë”, – ka thënë zëdhënësi i shtypit, Olsi Ranxhi, për mediat. Ndërsa një ditë më parë për “Panorama Sport” lojtari deklaroi se në kontratën e tij kanë mbetur edhe disa detaje për t’u zgjidhur, por që nuk përbënin problem. “Nuk ka ende një datë se kur do e firmosim kontratën, në të cilën kanë mbetur edhe disa detaje të vogla për t’u përcaktuar”, – është shprehur futbollisti, i cili deri më tani është një nga emrat më të lakuar te Partizani. Drejtuesit e kuq kanë zhvilluar bisedime me shumë futbollistë, por kanë konfirmuar vetëm tre. Besnik Krasniqi, portieri Alban Hoxha dhe Amir Rrahmani janë cilësuar si blerjet e para, megjithatë firmat vazhdojnë të mungojnë.

Hoxha zgjedh “demat”, firma shumë afër
Alban Hoxha i ka shuar përfundimisht të gjitha dilemat për të ardhmen e tij dhe ka zgjedhur që sezonin tjetër të aktivizohet me Partizanin. Edhe pse ish-portieri i Besës ka qenë një nga të parët që është konfirmuar në kampin e kuq, kontrata ende e pafirmosur e kishte bërë atë skeptik për të ardhmen me “demat”. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Hoxha është shprehur: “Këto ditë kam konsultuar kontratën që do firmos me Partizanin dhe mendoj se gjithçka është në rregull, përveç disa detajeve që duhen përcaktuar. Kam folur me drejtuesit dhe ata janë të gatshëm që gjithçka të rregullohet dhe që në ditët në vijim të vijë edhe firma përfundimtare. Sezonin e ardhshëm unë do të jem lojtar i Partizanit”, – ka bërë të ditur Hoxha, i cili është një prodhim i akademisë së Dinamos dhe ka luajtur në disa ekipe të kampionatit shqiptar, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"