Qefalia: Me Dinamon arrij atë që dua, ja pse ika nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 17:29

Qefalia: Me Dinamon arrij atë që dua, ja pse ika nga Tirana

Ndeshja e parë si titullar me skuadrën e re sigurisht që mbahet mend dhe veçohet nga të tjerat. Klevi Qefalia, një nga afrimet e Dinamos në merkaton e dimrit, luajti nga minuta e parë në Rrogozhinë, ku blutë barazuan 1- 1. Paraqitja e tij, pas disa aktivizimeve nga stoli, ishte pozitive. Dinamo në fakt po kalon një moment të mirë si skuadër në aspektin e lojës dhe kjo e lejon që edhe ata që futen në formacion, të ndjehen pjesë e rëndësishme e grupit dhe të japin më të mirën.

qefalija

LARGIMI NGA TIRANA –Në një prononcim për “Panorama Sport”, futbollisti 20-vjeçar tregon së pari pse la Tiranën dhe firmosi për Dinamon. “Arsyeja e largimit nga Tirana është e thjeshtë: nuk kisha minuta dhe doja të luaja sa më shumë. Kur erdhi varianti i Dinamos nëpërmjet menaxherit tim, Altin Lala, nuk u mendova shumë, por vendosa të firmos për të. Ashtu si Tirana, edhe Dinamo është një klub me emër në futbollin shqiptar, që ka bërë historinë e vet. Jam vërtet shumë i lumtur që jam bërë pjesë e kësaj skuadre. A mund të arrij atë që nuk arrita me Tiranën? Besoj se po. Dinamo është një klub shumë serioz, ku të gjithë janë të impenjuar për të rikthyer në nivelet më të larta. Duke bërë më të mirën për skuadrën, edhe lojtarët rriten individualisht dhe ndihmojnë klubin dhe veten”, – ka thënë Qefalia fillimisht.

SKUADRA –I pyetur për skuadrën dhe ambientin që ka gjetur, mesfushori përgjigjet: “Më kanë pritur shumë mirë të gjitha, drejtuesit, stafi teknik dhe futbollistët. Dua t’i falënderoj sinqerisht, sepse po mësoj shumë nga të gjithë. Jam pjesë e një grupi me lojtarë që punojnë shumë dhe kërkojnë gjithmonë më shumë. Janë shumë seriozë në punën e tyre të përditshme dhe e vlerësoj këtë fakt. Po luajmë mirë prej disa javësh dhe sigurisht që ndihem mirë për faktin që luajta titullar në Rrogozhinë. U mundova të jepja gjithçka nga vetja, por dihet që gjithmonë ka vend për përmirësim. Bëmë një ndeshje të mirë në total, morëm një barazim, por me pak fat mund të merrnim edhe më shumë. Gjithsesi, ky është futbolli, duhet të kesh edhe pak fat, por tani na mbetet të shohim përpara për të përmbushur objektivat që ka klubi”.

TEUTA –Më pas edhe një mendim për ndeshjen e radhës, atë me Teutën në kampionat: “E shohim si ndeshje radhe, ku Dinamo duhet të vazhdojë me lojërat e mira që ka bërë dhe të marrë pikët, që janë shumë të rëndësishme në këtë fazë të sezonit. Besoj do ta përgatisim si duhet, po punojmë shumë të qetë, si gjithmonë, për të dhënë më të mirën ndaj një kundërshtari të fortë, që kërkon pikë mbijetese. Shpresojmë të kthehemi te fitorja.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"