Portieri i Apolonisë shijon golin e parë si profesionist, trajneri i Flamurtarit: Kam dyshime për penalltinë, ishte si humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2024 | 20:16

Portieri i Apolonisë shijon golin e parë si profesionist, trajneri i Flamurtarit: Kam dyshime për penalltinë, ishte si humbje

Nuk ka fitues në takimin Apolonia-Flamurtari. Pritej të ishte kryendeshja e javës së 17-të, por vetëm e tillë nuk rezultoi. U zhvillua në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” dhe në praninë e vetëm 300 tifozëve. Një pikë që mund të quhet e mjaftueshme për vendësit, por jo miqtë. Me këtë rezultat, vlonjatët humbasin terren në zonën e ngjitjes.

APOLONIA

Edhe pse Ramadani krijoi iluzionin e fitores me atë gol pas 11 minutash, mendoi Harizaj që të bënte heroi. Portieri shënoi me penallti dhe barazoi shifrat, që fierakët e mbrojtën me fanatizëm deri në finish, ndonëse 40 minuta luajtën me një lojtar më pak.

Portieri i Apolonisë, Harizaj: E shijova, goli i parë si profesionist

Romeo Harizaj gjeti rrjetën për të parën herë dhe e ka shijuar pa fund. Portieri është i lumtur që nuk gaboi te penaltia dhe i dha një pikë të artë Apolonisë. “Ishte një ndeshje e luftuar. Situata del ndonjëherë jashtë parashikimeve dhe kështu na ndodhu ne. Thuajse gjithë pjesën e dytë ishim me një lojtar më pak dhe kjo na e bëri shumë në vështirësi. Kjo na bën të ndihemi të kënaqur me pikën e marrë, sepse sakrifikuam shumë. Nëse do ishim 11 kundër 11, ne do ta kishim fituar.

Me bindje e them këtë, por kartoni i kuq na penalizoi. Por këtë as nuk bëmë sa duhet në manovrën sulmuese. Menduam më shumë të mos pësonim, pasi është më mirë një pikë se sa zero. Penalltia? Ishte goli im i parë në futbollin profesionist dhe natyrisht jam shumë i lumtur. Pjesën e ekzekutimit të penalltisë e vendos stafi, thjesht unë kisha dëshirën e madhe dhe e mora menjëherë përsipër. Kisha siguri që do ta çoja në rrjetë”, tha gardiani për “Panorama Sport”.

APOLONIA FLAMURTARI

Trajneri i Flamurtarit, Dritan Resuli: Kam dyshimet e mia për penalltinë, ishte si humbje

Dritan Resuli nuk kënaqet me barazimin, aq sa e quan “humbje”. Pas ndeshjes, trajneri i Flamurtarit tha: “Kemi lënë dy pikë të rëndësishme, prandaj nuk mund të jem i kënaqur. Më falni, por barazimi është si një humbje për ne. Nuk ishte e as nuk është rezultati që ne synonim, ndonëse e dinim që përballë kishim një rival direkt si Apolonia. Ishte një transfertë e vështirë, por i kishim mundësitë për më shumë.

E nisëm shumë mirë lojën, gjetëm edhe golin e avantazhit, por u barazuam shumë shpejt. Nuk dua ta komentoj penalltinë, por ishte e dyshimtë. Kështu mendoj unë, megjithatë, rigjetëm forcën brenda vetes dhe morëm frenat e lojës, por nuk ishim të qetë dhe të saktë para portës. Pjesa e parë ishte e mirë, ndërsa e dyta edhe më e mirë, por nuk patëm vetëm finalizimin si duhet. Sa i përket objektivit madhor, i qëndrojmë po njësoj, sepse dihet motoja jonë, që është një dhe e vetmja Superiorja”.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"