Portieri Alia beson: Kthesa e Skënderbeut nis nga Rrogozhina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2024 | 16:20

Portieri Alia beson: Kthesa e Skënderbeut nis nga Rrogozhina

Në kushtet kur nuk pritet të ketë shumë ndryshime në këtë pjesë të sezonit, ku janë hapur mundësitë për transferime të lojtarëve, Skënderbeu është totalisht i fokusuar tek rifillimi i kampionatit, teksa të shtunën do të luajë në Rrogozhinë kundër Egnatias.

WhatsApp Image 2024-01-09 at 16.17.49

Portieri Marko Alia ishte një nga ata që spikati në pjesën e parë të këtij sezoni, ndërsa në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, ka folur për periudhën e përgatitjeve pas humbjes, si dhe besimin që ka për reagim të menjëhershëm në kampionat pas asaj humbjeje të turpshme në javën e 18-të ndaj Vllaznisë.

“Jemi duke punuar prej disa ditësh dhe nuk kemi pasur aspak mendjen te pushimet. Kemi shijuar vetëm disa ditë leje dhe më pas gjithçka i është rikthyer normalitetit. Kampionati fillon shpejt dhe duhet që të jemi gati, por mbi të gjitha të mos humbasim asgjë nga ajo formë e mirë që ishim duke kaluar. Normalisht, për ne ka qenë një mbyllje e vështirë e pjesës së parë të kampionatit, pasi ajo humbje me Vllazninë ishte e rëndë. Sigurisht që pas një humbjeje të tillë, duhet me patjetër reagimi. Prandaj jemi duke punuar maksimalisht që të lemë pas atë ndeshje dhe mbi të gjitha të tregojmë se ishte vetëm një situatë e izoluar. Skënderbeu ka cilësi dhe nuk mund të pranojë kurrsesi humbje të tilla. Do ta rinisim nga përballja me Egnatian, që është e vështirë, por do të mundohemi që të bëjmë mirë në këtë takim. Pse jo të mos përsërisim atë paraqitje të mirë që kemi bërë në Rrogozhinë”, ka thënë fillimisht portieri.

MERKATO I ndalur më pas tek momenti i merkatos dhe mundësive për të ndryshuar diçka qoftë në ekip apo edhe në aspektin personal, Alia nuk ka dashur të komentojë për mundësi largimi. Për portierin ka pasur interesim nga klube turke, por mesa duket do të qëndrojë në Korçë të paktën deri në fund të këtij sezoni.

“Sa i përket merkatos, nuk është se jam duke menduar për diçka të tillë. Kjo, edhe për vetë faktin se kam dashur të lë gjithçka në dorë të menaxherit tim dhe klubit të Skënderbeut, me të cilin kam një kontratë 3- vjeçare. Kjo më jep mundësinë që të jem më i përqendruar në stërvitje dhe kampionat. Normalisht kam dëgjuar që ka pasur ekipe që janë interesuar për mua, por më e rëndësishmja është që të vijoj punën me Skënderbeun për të rritur cilësitë e mia dhe të ndihmoj sa më shumë ekipin”, përfundoi portieri bardhekuq, i cili luan sezonin e tij të parë në Kategorinë Superiore, ndërsa në të kaluarën ka qenë pjesë e Lacios në Itali, si dhe klubit të Serisë C, Monterosi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"