Pikantet e Skënderbeu-Teuta/ Tifozët vendës irritohen me bardhekuqtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 15:15

Pikantet e Skënderbeu-Teuta/ Tifozët vendës irritohen me bardhekuqtë

Tifozët korçarë vijojnë të mbështesin ekipin e tyre në ndeshjet brenda shtëpisë. Ndryshe nga takimet e tjera këtë herë kanë dalë me kokën ulur nga kjo ndeshje, pasi ekipi i tyre nuk është ngritur asnjëherë në lartësinë e kundërshtarit. Ja pikantet e “Panorama Sport” nga ndeshja e luajtur në Korçë.

WhatsApp Image 2024-04-14 at 23.28.34 (1)

* Që do të ishte një ndeshje e vështirë për Skënderbeun u ndie që në momentet e para të takimit. Durrsakët krijojnë raste të shumta shënimi që trembin tifozët korçarë të cilët, sidomos gjatë pjesës së parë kërkojnë pafund reagimin e ekipit. Reagim që nuk vjen dhe kjo shkakton irritim në shkallët e stadiumit.

* Dy presidentët, Ardjan Takaj dhe Edmond Hasanbelli kanë parë takimin pranë njëri-tjetrit në vijën e parë të tribunës VIP. Në fund të takimit Takaj ka uruar Monin për fitoren, dukshëm tejet i zemëruar për mungesën e rezultatit nga ekipi i tij.

* Prezent në ndeshjen e së shtunës mes Skënderbeut dhe Teutës ka qenë edhe kreu i Partisë së Lirisë, ishpresidenti Ilir Meta së bashku me Tedi Blushin. Ka qenë hera e parë që Meta ndjek nga afër një ndeshje në Korçë dhe për fat të keq Skënderbeu nuk arrin dot të marrë pikë në këtë takim. Prezenca e Metës duket se i ka sjellë më shumë fat Teutës.

* Ivan Gvozdenoviç ka qenë tejet i mërzitur për lojën e zhvilluar nga ekipi i tij në këtë ndeshje, gjë që e ka reflektuar edhe në fushën e lojës. Nga pankina serbi i bardhekuqve kërkon nga prapavija më shumë përqendrim dhe kujdes të veçantë për lojën në ajër të kundërshtarit që ka shtatlartësi. Fillimisht Ramos dhe më pas Shaqe e Gërço kërkohen nga trajneri të mbyllin zonat në kohë. Por, penalltia e shkaktuar nga Xhantu nervozon trajnerin që u godit pikërisht tek ajo që po i kërkonte kujdes ekipit.

* Edi Martini ka qenë më i qetë. Kishte besim te loja e tijve dhe dukej se e ndiente edhe golin që do të vinte. Vazhdimisht kërkonte nga Kruja me shokë të vijonin dominimin e mesfushës dhe të tentonin me harkimet në zonë. Duke parë edhe shpërqendrimin e prapavijës korçare kërkoi që shtatlartësia të shfrytëzohej.

LL. SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"