Pikante Tirana-Luftëtari/ Hoxhallarin e spiunon arbitri i katërt, zbulohet tersi i bardhebluve

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 17, 2018 | 22:17

Pikante Tirana-Luftëtari/ Hoxhallarin e spiunon arbitri i katërt, zbulohet tersi i bardhebluve

-Ekipi i Tiranës më në fund ka arritur një fitore në Kategorinë Superiore. Për ironi të fatit, bardheblutë fitoren e fundit në Superiore e kishin kundër Luftëtarit më 20 maj 2017-të. Dhe me kthimin në Superiore, Tirana sërish fitoren e parë e mori ndaj Luftëtarit, por 484 ditë pas trepikëshit të fundit që kishte marrë ndaj gjirokastritëve.

tirana

-Të pranishëm në stadium ishin të dy presidentët, Vangjel Tavo dhe Refik Halili. Në fund të ndeshjes, presidenti i Tiranës ka qëndruar gjatë në zyrën e tij dhe pasi ka takuar gjithë miqtë e tij është larguar i kënaqur nga stadiumi.

-Për herë të parë këtë sezon në një ndeshje kampionati në stolin e rezervave ishte i ulur sulmuesi i bardhebluve, Majkëll Ngo, i cili kthehej nga dëmtimi disamujor.

-Numër i ulët i tifozëve “Tirona Fanatics”, të cilët, edhe pse kishin folur për pjesëmarrje masive, nuk kalonin 200 vetat. Si zakonisht, ata e kishin me drejtuesit e skuadrës. Nga ana tjetër, përkrahësit e mbështetën fuqishëm ekipin e zemrës, që më në fund arriti të fitonte.

-Eni Imami, Namdi Oduamadi, Sedat Berisha dhe Majkëll Ngo bënë debutimin në Kategorinë Superiore, pasi asnjë nga lojtarët nuk kishte luajtur ndonjëherë me Tiranën në këtë kategori.

-Ndryshe nga tre takimet e tjera, Tirana kishte ndërruar pankinën, pasi Ze Maria dhe stoli qëndronin nga krahu i majtë dhe jo i djathtë i stadiumit.

-Në stolin e Tiranës mungonte ndihmësi i Ze Marias, Marko Aurelio, i cili nuk ka licencën UEFA A për t’u ulur në pankinë. Ai qëndronte pas pankinës së Tiranës, duke ndihmuar Ze Marian.

-Gjatë gjithë lojës, Ze Maria ka ulëritur ndaj lojtarëve të tij. Trajneri në shumë momente kritikonte lojtarët për pozicionet në fushën e blertë. Të njëjtën gjë bënte edhe Mlladen Kostiç i Luftëtarit.

-Pas marrjes së kartonit të kuq, Erjon Hoxhallari është kthyer në pankinë, por delegati i ndeshjes ka njoftuar gjyqtarin e katërt dhe ky i fundit ka larguar mbrojtësin nga stoli, duke e çuar në tribunë.

-Ekipi i Tiranës më në fund ka festuar me tifozët fitoren e parë në Kategorinë Superiore, pas një viti “burg” në Kategorinë e Parë.






www.minuta90.com