PESHËNGRITJE/ Desjana Koni dhe Briken Calja, më të mirët në Kupën e Shqipërisë (TABELA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2022 | 11:00

PESHËNGRITJE/ Desjana Koni dhe Briken Calja, më të mirët në Kupën e Shqipërisë (TABELA E PLOTË)

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka zhvilluar të shtunën Kupën e Shqipërisë për të rritur, aktivitet që këtë edicion vinte në nderim të Dëshmorit të Atdheut, Artan Cuku.

briken-calja

Një garë interesante e zhvilluar në Kamzë, që pa të konkurronin shtangistë nga të gjitha klubet e vendit.

Në radhët e vajzave, çmimi si sportistja më e mirë e kompeticionit shkoi për peshëngritësen e talentuar të Partizanit, Desjana Koni, e cila regjistroi 68 kg në shkëputje, 80 kg në shtytje, për ta mbyllur dygarëshin me 148 kg në kategorinë e peshave 55 kilogramë.

Ndërsa titulli ekipor për femra u fitua nga skuadra e Partizanit.

Ndërkohë në radhët e meshkujve u shënua rikthimi i fuqishëm i Briken Caljes.

Kampioni i Botës, u shpall peshëngritësi më i mirë i kompeticionit dhe tashmë duket se i ka lënë pas krahëve problemet fizike, të cilat i kushtëzuan edhe Europianin disa muaj më parë.

Calja regjistroi 151 kg në shkëputje, 180 në shtytje, për ta mbyllur në vend të parë me 331 kg dygarëshin në kategorinë e peshave 81 kilogramë.

Kështu shtangisti shtërmenas ndez “motorët” në prag të Botërorit, aty ku do të kërkojë të shkruajë sërish historinë për Shqipërinë.

Në rang ekipor për meshkuj, Tirana vijon të bëjë ligjin, duke u shpallur fituese edhe në Kupë. Për t’u veçuar në këtë aktivitet ishte edhe mungesa e Erkand Qerimajt.

TABELA (1)

PANORAMASPORT.AL