Përfundon “telenovela” Idrizaj, mbrojtësi largohet nga Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2014 | 15:59

Përfundon “telenovela” Idrizaj, mbrojtësi largohet nga Kukësi

Endri IdrizajPas një përpjekjeje pa fund, Kukësi nuk ia ka dalë ta bëjë pjesë të skuadrës Endri Idrizajn. Dje ai ka dorëzuar bazën materiale dhe përfundimisht nuk është pjesë e Kukësit, megjithëse klubi pati treguar interesim për të pasur shërbimet e tij. Idrizaj firmosi një parakontratë me klubin pas përfundimit të sezonit dhe përjashtimit të Bylisit nga kampionati. Madje, lojtari kishte arritur akordin me klubin verilindor dhe u bë pjesë e stërvitjes dhe grumbullimit në Ohër të Maqedonisë, me shpresën që do të luante edhe në Kupat e Europës. Madje, u detyrua të braktisë stërvitjen në përpjekje për të rregulluar dokumentacionin. Por, vlonjati që luan si mbrojtës i majt, nuk mundi të fitojë lirinë nga ish-klubi i tij, i cili nuk i dha lejekalimin për në Kukës, pasi ende figuronte nën kontratë. Vetë lojtari kishte marrë përsipër zgjidhjen e kontratës edhe në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve pranë FSHF-së, pasi kishte deklaruar se nuk ishte paguar rregullisht. Por, klubi ballshiot ia ka dalë të frenojë mbrojtësin dhe do ta lërë të lirë vetëm nëse ai shlyen penalitetet ose nëse klubi i Kukësit blen kartonin e tij. Verilindorët e kishin afruar mbrojtësin në ekip me kushtin që ai të sillte kartonin që rezultonte lojtar i lirë. Ndërkaq, burime pranë klubit bëjnë të ditur se janë në pritje të dy futbollistëve kroatë, por që deri tani nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me këtë. Ndërkaq, shumë lojtarë të rinj që duan të veshin fanellën e Kukësit, duket se e kanë të vështirë të bindin stafin teknik për cilësinë e tyre. Janë rreth pesë lojtarë që stërviten këto ditë me ekipin, por që ende asnjë prej tyre nuk ka bindur përfundimisht stafin për t’i dhënë OKin ndonjërit prej tyre. Ata do të jenë pjesë e stërvitjes dhe vetëm në fund të saj do mësohen emrat e lojtarëve që kanë ardhur në provë. Si të sigurt janë Jonuzi, Muçmata dhe Halili, 18-vjeçarë që kanë ardhur nga ekipet zinxhir të Kukësit dhe do jenë pjesë e ekipit.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"