“Përballje e vështirë ndaj Vllaznisë”, Edon Hasani: Nuk duhet të dalim pa pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2023 | 13:37

“Përballje e vështirë ndaj Vllaznisë”, Edon Hasani: Nuk duhet të dalim pa pikë

Kastrioti do të ndeshet sot në kuadër të javës së 23-të të Superiores me Vllazninë e vendit të tretë. Përballje kjo që pritet me interes nga të dyja ekipet. Shkodranët, për të mos u shkëputur nga objektivi i tyre, kreu i renditjes, ndërkohë që krutanët e vendit të fundit po luftojnë për të rikuperuar pikët sa më shumë të jetë e mundur dhe për t’ju shmangur rënies nga kategoria.

hasani

Deri tani, me gjithë luftën e fortë sportive e rritjen e nivelit të lojës nuk ia kanë dalë të marrin piket e munguara.

Ndërrimi i trajnerëve, rikthimi i trajnerit E.Cela, duket se ekipi po i përgjigjet filozofisë së tij pa e mohuar këtu punën e ishtrajnerit Mema.

Trajneri Çela është një njohës i mirë i cilësive e aftësive të çdo lojtari, pasi më parë kanë qenë bashkëlojtarë, mënyra e lojës është përmirësuar ndjeshëm. Në disa ndeshje kanë qenë të pafat.

Kujtojmë këtu ndeshjen ndaj Tiranës një javë më parë ku goli në minutën e 100-të i hoqi një pikë të çmuar. Kjo javë stërvitore për futbollistët ka qenë një javë e ngjeshur, ku trajneri Çela ka pasur në dispozicion të gjithë titullarët e mundshëm. Është rikthyer dhe do të jetë pjesë e formacionit të titullarëve fantazisti Edon Hasani.

Shkodrani, i cili e ka filluar karrierën e tij pikërisht me Vllazninë në sezonet 2010-2014 për t’u transferuar jashtë shtetit, me ekipe në Poloni, Rumani, Iran, e këtu në Shqipëri me skuadra si Kukësi, Tirana, Partizani dhe dy sezonet e fundit 2021-2022 dhe 2022-2023 për ngjyrat e Kastriotit.

Hasani ka ezauruar dënimin njëjavor në ndeshjen ndaj Tiranës dhe përgjatë javës stërvitore ka qenë në seancat përgatitore e pritet të jetë në formacionin e titullarëve që trajneri Çela do të hedhë në fushën e blertë ndaj Vllaznisë.

Në një prononcim të shkurtër të dhënë për “Panorama Sport”, fantazisti u shpreh: “Ndaj Vllaznisë na pret një përballje e vështirë. Unë kam nisur karrierën time aty dhe ruaj respekt për vitet që kam luajtur për Vllazninë, por që tani luaj, e jam i përkushtuar të jap maksimumin për ngjyrat e Kastriotit”. Me tej, Hasani u shpreh se: “Në Shkodër është një përballje, që e kemi vlerësuar mjaft, pasi Vllaznia ka mjaft lojtarë cilësorë. Ne do të bëjmë lojën tonë, për të marrë më të mirën e mundshme nga kjo transfertë. Edhe një pikë do të ishte me vlerë për Kastriotin në këto momente”.

Edon Hasani prej dy sezonesh për ngjyrat e Kastriotit ka luajtur në total 46 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 4 gola.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"