Pasimi si Modriç, Asllani në kabinën e regjisë zikaltër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 23:06

Pasimi si Modriç, Asllani në kabinën e regjisë zikaltër

Ka qëndruar gjith monë në pankinë duke pritur momentin e tij dhe ja ku erdhi. I përulur, pa bërë polemika, edhe pse meriton të luajë më shumë. Kristjan Asllani ka tani shansin e artë për të qenë titullari i skuadrës zikaltër për dy ndeshjet e ardhshme.

ASLLANI

“Mësuesi” i tij, Hakan Çalhanoglu ka nevojë për disa ditë pushim për shkak të dëmtimit që pësoi përpara sfidës me Leçen dhe pas ekzaminimeve të bëra rezulton se do të humbasë dy sfidat e ardhshme në Serinë A, kundër Atalantës dhe Xhenoas. Minutazhi i lartë që ka pasur gjatë këtij sezoni ka bërë që turku të ndjejë shqetësime në aduktor dhe të ketë nevojë për të bërë një pushim.

ASLLANI NË REGJI – Kjo do të thotë që Kristjan Asllani të futet në kabinën e regjisë së zikaltërve dhe të iluminojë lojën, ashtu siç bëri ndaj Leçes. Dha një asist perfekt me të jashtmen e këmbës, një pasim që të bën të mendosh se i ka përvetësuar mirë leksionet e Çalhës, por edhe pak i frymëzuar nga Modriç. Fakti që Inzagi ka nevojë për të dhe parashikoi diçka negative për Çalhanoglunë u kuptua kur e zëvendësoi mesfushorin e Kombëtares shqiptare.

Ai u ndëshkua me të verdhë dhe trajneri ka “frikë” nga kartonët. Për më tepër nuk donte ta konsumonte Asllanin duke ditur që Interi do të rikuperojë ndeshjen kundër Atalantës ditën e nesërme. Nëse nuk do të ketë surpriza apo spostime taktike, djaloshi nga Elbasani do të vendoset përpara mbrojtjes për të qenë titullar për herë të tretë në këtë sezon në Serinë A. Ai ka luajtur 2 ndeshje si titullar edhe në Champions, ndërkohë që të mërkurën do të jetë dalja e pestë sezonale si titullar.

ASISTI MAGJIK – Gjithçka në Leçe u lidh me numrin 2. Në ndeshjen e dytë si titullar me Interin në kampionat, Asllani dha asistin e dytë në këtë sezon dhe të dy për Lautaro Martinezin. I pari ishte një krosim nga goditja e këndit kundër Fiorentinës, ndërsa ndaj Leçes pasimi magjik me të jashtmen. Të dy pasimet kanë qenë vendimtarë për të zhbllokuar ndeshjet, ndërsa për Lautaron ai ishte goli i 100- të në Serinë A me fanellën zikaltër.

Tha se do ta mbajë mend si më të bukurin dhe më të rëndësishmin e karrierës. Rastësia është që u pasua nga Asllani. Tani do të kenë më shumë mundësi për të luajtur me njëri-tjetrin në dy ndeshjet e radhës në Serinë A. Është momenti i Kristjan Asllanit.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"