“Pas fitores me Kastriotin duhet vazhdimësia”. Bejzade tregon emocionet e eurogolit dhe synimin e Apolonisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 17:15

“Pas fitores me Kastriotin duhet vazhdimësia”. Bejzade tregon emocionet e eurogolit dhe synimin e Apolonisë

Apolonia mori një fitore të pastër,2-0, kundër Kastriotit duke konsoliduar edhe njëherë pozitat për një vend të sigurt në fazën “play off”. Për fierakët kjo kishte një vlerë të dyfishtë, pasi i dhanë fund ecurisë negative në kampionat, si dhe mundën për herë të parë Kastriotin në këtë sezon.

bejzade apolonia

Heroi i Apolonisë, mesfushori Abjel Bejzade, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, flet për këtë fitore të rëndësishme, eurogolin e realizuar, por edhe për ecurinë e ekipit.

E nisët mbarë fazën e tretë, sa çliruese ishte kjo fitore?

Çdo fitore është e rëndësishme dhe ndaj çdo kundërshtari vlen njëlloj. Një ndeshje e vështirë, ndonëse rezultati final ishte i pastër, 2-0. E përgatitëm mjaft mirë takimin, pasi kërkonim me çdo kusht të riktheheshim te fitorja. Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të dalim me pikët e plota nga ky takim, sepse kështu edhe skuadra çlirohet nga ana psikologjike.

Dhuruat një asist perfekt për sulmuesin Umejiego dhe shënuat një eurogol nga rreth 20 metra. Si ndiheni pas kësaj paraqitjeje?

Ndihem shumë mirë. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të ndihmosh skuadrën për të fituar. Nuk mund ta mohoj dot që emocioni është edhe më i madh kur e ndihmon skuadrën në këtë mënyrë, me gol dhe asist. Goli është kënaqësi e papërshkrueshme, e shijova shumë.

Gjuani shpeshherë goditjet e dënimit, thuajse nga çdo pozicion apo largësi. Ku buron specialiteti i goditjeve të dënimit?

Të tregohem i sinqertë, goditjet e dënimit, thuajse nga çdo pozicion i mundshëm, i praktikoj në çdo seancë stërvitore me qëllim për të shfrytëzuar shanset që vijnë gjatë një ndeshjeje. Mendoj se janë një mundësi e shkëlqyer për të zgjidhur një takim. Më erdhi mundësia dhe shënova. Duhet përqendrim, vendosmëri dhe gjakftohtësi.

Viti i parë tek Apolonia, por jeni titullar. Cili është objektivi personal për këtë sezon?

Objektivi im është të jap maksimumin për Apoloninë, të kemi  vazhdimësi në kampionat dhe të bëjmë një paraqitje dinjitoze në fazën “play off”, si mundësinë e dytë për Superioren.

Ndeshja e radhës, derbi me Lushnjën në transfertë…

Derbi apo jo, nuk ka rëndësi. Jemi të vetëdijshëm se çdo ndeshje është e vështirë dhe kërkon vlerësim maksimal. Derbi është derbi, ndaj do të synojmë pikët e plota. Pas fitores me Kastriotin duhet vazhdimësia. Ecuria duhet të jetë konstante dhe dinjitoze deri në fund të fazës së tretë.

I druheni ndonjë ekipi për fazën “play off”?

Apolonia ka treguar se respekton dhe vlerëson çdo kundërshtar, por nuk ka frikë askënd. Kemi prodhuar lojë dhe futboll të bukur ndaj çdo ekipi, brenda dhe jashtë fushe. Flamurtari, Vora, por edhe Korabi e Lushnja kanë ekipe shumë të forta. Apolonia rivalitetin e ka me veten.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"