Partizani merr Tafajin dhe Ishkën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2012 | 13:42

Partizani merr Tafajin dhe Ishkën

Pas disa ditëve pushim, dje skuadra e Partizanit ka nisur përgatitjet për fazën e dytë të kampionatit. Edhe pse me një grup të cunguar, të kuqtë ishin të pranishëm dje, ora 17:00, në ambientet e kompleksit “Dinamo”, ku nën drejtimin e Genc Tomorrit zhvilluan stërvitjen. Paralelisht me “demat” Tomorri drejtoi edhe stërvitjen e të rinjve, ndërkohë që gjithçka u krye nën vëzhgimin e drejtorit teknik, Hasan Lika. Ky i fundit është caktuar nga presidenti Sallaku edhe si personi përgjegjës për merkaton e janarit, gjatë të cilës të kuqtë pritet të jenë mjaft aktivë. Ndërkohë, ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport” pak ditë më parë për çështjen e trajnerit dhe vazhdimësinë e tij në drejtimin e skuadrës, ai dje nuk ishte i pranishëm, duke qenë se nuk u lajmërua nga drejtuesit. Ndërsa, po siç është thënë në gazetë gjatë këtyre ditëve, dje u stërvitën me Partizanin, Fatjon Tafaji dhe Sokol Ishka, të cilët janë dy blerjet e para.
Lista – Gjatë stërvitjes së djeshme ishin të pranishëm vetëm shtatë futbollistë: Andrelis Pashaj, Joanc Duqi, Salvador Sulçe dhe Jozef Thana, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës edhe gjatë fazë së parë të kampionatit, si titullarë të padiskutueshëm, si dhe Fatjon Tafaji dhe Sokol Ishka, të cilët mësohet se janë dy blerjet e para zyrtare të “demave”. Mbrojtësi dhe mesfushori, që njihen mjaft mirë në ambientin e kuq, kanë firmosur dje kontratë me skuadrën, duke u larguar përfundimisht nga Kamza. Dje në stërvitje ishte edhe Ardjan Beqiri, i cili është larguar nga Besëlidhja, por që ende nuk ka firmosur me klubin. Mirëpo, ajo çka ka rënë në sy në stërvitjen e parë të skuadrës, ishte mungesa e trajnerit Nikolin Çoçlli. Ky i fundit mësohet të ketë marrë konfirmimin nga presidenti Sallaku për të qenë në krye të skuadrës, por ende nuk e ka bërë de fakto një gjë të tillë.
Deklarata – Zëdhënësi për shtyp i skuadrës së Partizanit, Olsi Ranxhi, ka sqaruar edhe mbi gjendjen më të fundit të skuadrës. “Përveç Beqirit, me pjesën tjetër të futbollistëve, që kanë dalë sot (dje) në stërvitje, është arritur akordi final dhe është firmosur kontratë. Siç shihet në stërvitje janë edhe dy blerjet e reja, Ishka dhe Fatjon Tafaji, me të cilët është arritur akordi”, – ka thënë Ranxhi. Ndërsa, i pyetur në lidhje me mungesën e trajnerit Çoçlli në këtë start stërvitor, Ranxhi ka deklaruar se ai vazhdon të jetë në postin e trajnerit. “Çoçlli vazhdon të jetë pjesë e skuadrës, edhe pse mungon sot. Ai është konfirmuar trajner i Partizanit dhe nuk ka asnjë ndryshim. Megjithatë, stërvitja e sotme ishte e lehtë dhe me pak lojtarë, ndaj ai nuk ishte prezent”, – ka përfunduar prononcimin Ranxhi. Ndërkohë, në stërvitjet e tjera pritet që Çoçlli të jetë në krye të ekipit.

Çoçlli: S’jam lajmëruar për stërvitje
I kontaktuar nga “Panorama Sport”, trajneri i skuadrës së Partizanit, Nikolin Çoçlli, u shpreh se nuk dinte asgjë në lidhje me stërvitjen që ekipi i tij zhvilloi dje. “Nuk jam lajmëruar për këtë stërvitje dhe nuk e di pse një gjë e tillë ka ndodhur. Unë kam biseduar me presidentin Sallaku dhe ai më ka konfirmuar në krye të skuadrës. Pra, aktualisht unë jam trajner i Partizanit dhe nuk kam marrë ndonjë lajmërim të dytë, që mund të më ketë shkarkuar nga posti. Megjithatë, për rastin në fjalë, do të kontaktoj me presidentin për ta sqaruar situatën”, – ka deklaruar Çoçlli.

“Demat”, nga një përforcim për çdo rol
Ashtu siç ishte thënë edhe më parë, drejtuesit e skuadrës së Partizanit pritet të jenë mjaft aktivë në merkato. Përveç Fatjon Tafajit dhe Sokol Ishkës, të cilët tashmë janë edhe dy afrimet e para, të tjerë futbollistë pritet të bashkohen gjatë seancave stërvitore. Edhe pse deri në këto momente nga klubi nuk janë bërë publikë emra lojtarësh, edhe pse është përfolur se do të jenë ish të kësaj skuadre, po që aktualisht janë pjesë e ekipeve të tjera, ajo që mësohet ditët e fundit, është se drejtuesit po mendojnë që të afrojnë nga një futbollist të ri për çdo rol, duke filluar që nga porta. Për këtë të fundit aktualisht janë dy alternativa. E para është ajo e portierit të Besëlidhjes, Dashamir Xhika, i cili ka dalë nga akademia e Partizanit dhe, e dyta, ajo e portierit të Kamzës, Mario Bytyçit.

Të kuqtë stërviten në terr
Prej disa muajsh në kompleksin Dinamo është vendosur edhe ndriçimi, me synim që ekipet e interesuar për të zhvilluar stërvitje aty mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe në orët e pasdites, kur është errur. Të njëjtën gjë ka bërë dje edhe skuadra e Partizanit, por në një gjysmë ndriçim. Kjo, pasi prozhektorët nuk kishin fuqinë e duhur për ta ndriçuar të gjithë fushën, në të cilën, përveç shtatë lojtarëve të ekipit të parë, stërviteshin edhe ekipet e moshave të Partizanit. Nuk dihet nëse stërvitjet edhe në vijim do të vazhdojnë në këtë orar, pasi për një trajner profesionist është pothuajse e pamundur që të zhvillojë stërvitje normale në ato kushte.

Lojtarët e kuq, me sytë nga telefonat
Pas ndeshjes me Lushnjën, të gjithë lojtarëve të Partizanit u është bërë me dije nga presidenti Sallaku se do të kontaktohen për të nisur seancat stërvitore. Megjithatë, deri në këto momente, vetëm disa prej futbollistëve janë kontaktuar, të cilët dje nisën seancat stërvitore. Ashtu siç ka konfirmuar edhe zyra për shtyp, pjesa tjetër e lojtarëve do të kontaktohet ditët në vijim dhe grupi do të plotësohet. Ndërkaq lojtarët e fazës së parë presin të marrin edhe rrogat e prapambetura nga ana e drejtuesve, të cilat ua kanë premtuar, kurse të gjithë futbollistët për fazën e dytë do të firmosin edhe një kontratë të re me presidentin Sallaku.
Armand Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"