“Nuk na intereson çfarë bën Vllaznia”, Josa, apel ekipit: Koha të marrim përgjegjësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2021 | 8:47

“Nuk na intereson çfarë bën Vllaznia”, Josa, apel ekipit: Koha të marrim përgjegjësi

Mirel Josa nuk do justifikime. Ashtu si edhe pas ndeshjes me Laçin, trajneri i Kukësit e ka të qartë që ai dhe skuadra e tij kanë shumë për të ndryshuar, përmirësuar dhe për të bërë më mirë në raport me ndeshjen e fundit. Për “Panorama Sport”, Josa e cilëson të rëndësishme përballjen me Vllazninë, por, sipas tij, vlera është te përgjegjësia që duhet treguar nga e gjithë skuadra, lojtarë dhe staf.

josaaaa

Si e keni përgatitur takimin, do t’ju mjaftonte një pikë me kryesuesen?

Kjo është një ndeshje si të gjitha të tjerat, e rëndësishme, të cilën edhe Vllaznia e ka me shumë interes. Uroj të bëhet një ndeshje sa më “Fair Play” nga të gjitha drejtimet, si dhe nga pjesa e arbitrimit. Nuk mund të shkoj te barazimi. Në asnjë ndeshje nuk futem me një objektiv për të barazuar. Ne, si skuadër, thjesht duhet të rritim përgjegjësinë që duhet të kemi për fanellën që mbrojmë, qoftë unë, qoftë lojtarët. Rezultatet i kemi pasur shumë të luhatshme.

Kur pikët janë “detyrim” për Vllazninë pas ecurisë jo të mirë që ka pasur, por edhe për Kukësin, sa e vështirëson këtë përballje?

Nuk është problemi që Vllaznisë në këto pozita i duhet fitorja, pasi edhe po të ishte në pozita të tjera, përsëri do t’i duheshin pikët. Futbollistët apo edhe ne, si staf, duhet të marrim përgjegjësi dhe nuk duhet të shikojmë fare se sa u duhen pikët kundërshtarëve. Ne duam pikët për veten tonë.

Çfarë do të ndryshoni dhe bëni më mirë nga ndeshja e fundit, ku pavarësisht atyre që ndodhën, Kukësi humbi?

Ato që ndodhën janë gjëra me të cilat ne duhet të mësohemi në kampionatin tonë. Janë gjëra që ndodhin, jo vetëm te ne, por edhe në kampionate të tjera. Ne nuk duam që të rrimë te justifikimet. Ajo që duhet të bëjmë, është të shohim se çfarë të përmirësojmë si skuadër. Duhet të rritim përgjegjësinë karshi vetes sonë. Të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje dhe të mos bëjmë të njëjtat gabime si më parë.

A është element shtesë rikthimi i Ibraimit dhe sa ndikon mungesa e Kotobellit?

Unë dua që t’i kem të gjithë lojtarët, në mënyrë që të kem mundësinë të përzgjedh dhe përdor të gjithë ata që janë me gjendjen më të mirë, me gjendjen e duhur. Mirëpo, kështu e ka futbolli. Qoftë mungesat me kartonë, qoftë ato prej dëmtimeve janë mungesa që ndodhin përgjatë një kampionati. Ne duhet të jemi të bindur se lojtarët që kanë pretendime për të luajtur ose atyre që u vjen radha për të luajtur në këto momente, të justifikojnë veten e tyre dhe të më vendosin mua në një dilemë sa më të madhe se çfarë do të bëj në ndeshjen tjetër.

Çfarë prisni specifikisht nga lojtarët, sulmi apo edhe nga mbrojtja?

Për mua nuk është problem mbrojtja, pasi, sipas meje, mbron e gjithë skuadra. Kështu që, reagimi nuk do të vijë vetëm nga sulmi ose vetëm nga mbrojtja. Reagimi do të vijë vetëm nga ndërgjegjësimi që do të kenë futbollistët e mi dhe unë bashkë.

Sa e qetë në aspektin psikologjik është skuadra, nisur nga rezultatet e luhatshme të cilat kanë ndikuar?

Aspekti psikologjik ka qenë shumë determinant, sepse skuadra nuk ka probleme fizike. Aspekti psikologjik dhe mënyra se si lojtarët duan që të evidentohen, për mua është shumë e rëndësishme. Sepse, ne po punojmë për të rritur nivelin e skuadrës në këtë periudhë dhe për të ardhmen. Në një ndeshje mund të kemi njëfarë përmirësimi dhe në tjetrën shkojmë prapë ku ishim. Kjo gjë mua nuk më pëlqen fare. Varet komplet nga mentaliteti dhe aspekti psikologjik që do të kenë futbollistët.

Kur do të mund ta shikojmë Kukësin e Josës, ju duhet akoma kohë që këta elementë që keni t’i sillni në nivelin që ju prisni?

Ka ndeshje dhe momente loje që mua më kanë kënaqur. Mirëpo, ka edhe momente që jam pezmatuar shumë për sa i përket mënyrës se si konceptohet futbolli. Për këtë, nuk mund të flas sepse e kam biseduar me futbollistët edhe në stërvitjen e fundit para ndeshjes. Problemi kryesor është marrja e përgjegjësisë. Kjo është çështja, se sa fuqi ka ky ekip që të marrë përgjegjësi për sa i përket lojës të të gjithë skuadrës, qoftë të individit, por edhe skuadrës.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"