“Nuk merremi me dreka dhe darka”, drejtori Ferko analizon ecurin dhe i përgjigjet Burrelit: Shkëputja nis pas… janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2022 | 23:44

“Nuk merremi me dreka dhe darka”, drejtori Ferko analizon ecurin dhe i përgjigjet Burrelit: Shkëputja nis pas… janarit

Alfred Ferko e sheh Flamurtarin të ngjitur në elitë, ndonëse e ka të qartë se në këtë rrugëtim do të ketë gjithnjë pas vetes Dinamon. Pret që një orë e më parë të ndodhë edhe shkëputja, ndonëse parashikon që ajo të ndodhë pas janarit.

alfred ferko

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, drejtori e pranon që skuadra nuk shkëlqeu me Burrelin, por i jep edhe një përgjigje administratorit të saj. Ai saktëson se vlonjatët nuk merren me dreka dhe darka. E cilëson pa kuptim ndërprerjen e Kategorisë së Parë prej Botërorit, por mendon se do t’i ndihmojë për rikuperimin e grupit.

Flamurtari e mbylli me fitore këtë pjesë të sezonit dhe mbrojti vendin e parë. Ishin brenda pritshmërisë këto 10 javë?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme ajo ndaj Burrelit. Ishte një ndeshje që vinte pas barazimi në Korçë, që të themi të drejtën ishte rezultat pozitiv. Meqë ekipi kishte një vazhdimësi, nuk mund ta ndërprisnim në shtëpi. Nga mënyra e të luajturit ndoshta nuk mbetëm shumë të kënaqur, por fitorja ishte shumë e rëndësishme për të ruajtur kreun.

Në fakt edhe trajneri Troisi nuk u shpreh i kënaqur nga loja…

Ne prisnim më tepër. Prisnim një lojë më të bukur nga ekipi sepse kualitetet i kemi, por ndoshta qëllon ndonjëherë një ditë jo e mirë. E rëndësishme është që ruajtëm atë fitore dhe rezultatin deri në fund. Kjo na kënaq. I shikojmë me mjaft entuziazëm edhe tri ndeshjet e tjera që kanë mbetur nga kjo fazë.

Nga Burreli pati ankesa dhe humbjen e cilësuan të pamerituar. Madje administratori Arjan Lleshja ka akuzuar edhe vëzhguesin Simon Qurku, që sipas tij po hante drekën e radhës 45 minutat e para. Keni një koment?

Nuk e di. Flamurtari nuk është marrë me gjëra të vogla. Ne e kemi treguar veten në fushë dhe besoj se nuk ishte një ditë e mirë për lojën, por ndeshja tregoi që ishim më dominues. Për gjërat e tjera… vëzhguesi ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes, nuk e di. (Qesh) Flamurtari nuk merret me dreka dhe darka.

Si do të ndikojë pauza e pazakontë e garës prej Botërorit?

Është një pushim jo i zakontë që vjen për një forcë madhore siç është Kampionati Botëror. Për kategorinë tonë sikur nuk kishte shumë kuptim, por është vendosur dhe ne do të na bëjë mirë për të rikuperuar diçka, edhe lojtarët e dëmtuar. Por edhe sidomos për lojtarët që erdhën më me vonesë dhe për të formuar një ekip akoma edhe më të fortë, sidomos nga ana fizike.

Jeni në krye, por me pikë të barabarta me Dinamon. Kur e parashikoni shkëputjen?

E mira është që të ndodhë shkëputja sa më shpejt, por ndeshjet janë ato që janë. E gjitha varet nga ne. Të tjerat i lëmë të bëjnë rrugën e tyre. Ne do të mundohemi të fitojmë çdo javë, sidomos këto tri të mbeturat nga faza e parë. Pastaj përsëri kemi një tjetër pushim, kështu që kemi kohë për të rikuperuar gjatë muajit janar, shumë dhe në çdo aspekt. Ndoshta atëherë do të vijë edhe shkëputja.

Kë shikoni si rival në misionin “Superiore”?

Duhet të vlerësojmë çdo ekip, pasi secili ka veçantinë dhe fizionominë e vet. Duhet që të gjithë t’i vlerësojmë në maksimum. Ne bëjmë rrugën tonë, por ndoshta Dinamo mbetet një nga pretendentët kryesorë. Bashkë me ne, janë ata momentalisht në krye. Flamurtari dhe Dinamo besoj do ta bëjnë rrugëtimin deri në fund për misionin madhor.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"