“Nuk ka presion në skuadër”, Dritan Mehmeti: Skënderbeu, jo vendimtar për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 9:21

“Nuk ka presion në skuadër”, Dritan Mehmeti: Skënderbeu, jo vendimtar për Dinamon

Nga Skënderbeu, te Skënderbeu. Dinamo nuk fiton prej 21 shkurtit, kur luante pikërisht kundër kundërshtarit të sotëm në Korçë. Vjen pas humbjes në derbin me Tiranën dhe për të mbajtur gjallë shpresat për në “Final 4” duhet të kthehet patjetër te fitorja. Nuk do të jetë e lehtë, duke ditur që korçarët, 4 pikë para në renditje, po kalojnë një moment të mirë. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për blutë në këtë 90-minutrësh, që trajneri Dritan Mehmeti nuk e konsideron vendimtar për fatet e sezonit. Ai është shprehur se Dinamo është aty dhe do të bëjë përpjekjet maksimale për arritjen e objektivit. Ndeshja me Skënderbeun luhet në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 18:00.

dritan mehmeti

MUNGESAT – “Për gjendjen e skuadrës, pas periudhës së frenimit të kampionatit do të thosha se kemi pasur shqetësime me dy lojtarë që nuk i kemi për ndeshjen me Skënderbeun, siç janë Albion Marku dhe Andoni, për arsye shëndetësore”, ka thënë fillimisht trajneri Mehmeti.

GABIMET – Më tej trajneri i kryeqytetasve analizoi gabimet në javët e fundit: “Tri ndeshjet e fundit mendoj se kanë qenë shumë të mira për sa i përket interpretimit të lojës, por faktikisht duhet të jemi shumë më të kujdesshëm sa i përket menaxhimit të rezultatit dhe ekuilibrit të skuadrës. Sepse, kur e kërkon me ngulm fitoren, duhet të jesh edhe i kujdesshëm në prapavijë. Ky është futbolli, siç na ndodhi dhe në derbin me Tiranën, ku për gabime individuale ishim në disavantazh, por skuadra tregoi forcë karakteri, arriti të barazojë. Në momente të tilla duhet shumë kujdes që të menaxhuar situatat e lojës. Jemi ndëshkuar në momentet më të mira tonat. Jemi një moment delikat të kampionatit dhe kemi punuar shumë fort. Përveç lojës, duhet të jemi më koncizë dhe më racionalë për sa i përket rezultatit. Skuadra përgatitet në aspektin psiko-motor për të marrë maksimumin. Është e rëndësishme që për 90 minuta të japim më të mirën në lojë për të marrë rezultat. Futbolli është i paparashikueshëm dhe nuk mund të flasim me verdikte para ndeshjes. Do të japim gjithçka dhe le të fitojë më i miri, kush të japë më shumë në fushë”.

SKËNDERBEU – “Jo vetëm Skënderbeu, të gjitha skuadrat kanë pasur oshilacione. Ky kampionat ka treguar se skuadrat nuk kanë pasur stabilitet në re zultate dhe formë. Jemi në një pikë delikate të kampionatit, sepse me një trepikësh ngrihesh lart dhe me një rezultat negativ e vendos veten në vështirësi. E vlerësojmë shumë Skënderbeun, ka skuadër të mirë, siç janë edhe të tjerat. Nuk ka shumë diferenca, siç kanë treguar javët e fundit, kur kanë humbur kryesuesit. Kjo tregon se kampionatit do të ketë surpriza. Fitorja e fundit në Korçë? Nuk e shikoj në këtë aspekt. Kjo ndeshje nuk është vendimtare, kemi edhe 9 ndeshje dhe ka edhe shumë pikë në lojë. Nuk i japim presion vetes. Kur është vetëm një ndeshje, e shikojmë si gjysmëfinale apo finale, por ka edhe shumë pikë në lojë. Jam munduar që skuadra të përgatitet për ndeshjen e radhës dhe presim të bëjmë llogaritë pas”, tha kreu i stolit blu, duke iu referuar kundërshtarit të sotëm.

KARAKTERI – “Jam munduar t’i injektoj skuadrës të vlerësojë veten dhe kundërshtarin, që të rritemi. Kështu mund të bëjmë atë që është më e mira për veten dhe klubin. Skuadra ka treguar karakter, jam i kënaqur me çunat, por duhet të kuptojmë që në futboll detajet bëjnë diferencën. Nuk duhet t’i japim iniciativë kundërshtarit. Në ndeshjet e fundit më shumë kemi bërë ne gabime se sa na ka ndëshkuar kundërshtari. Nuk janë justifikime, por e them se duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta kërkojmë te vetja”, – shtoi Mehmeti.

OSHILACIONET – “Jo vetëm Dinamo, të gjitha skuadrat kanë luhatje. Ka momente të mira, pastaj ka luhatje. Po të shikojmë tri ndeshjet e fundit, të prodhosh aq shumë, ta shkelësh zonën e kundërshtarit dhe të kesh aq shumë raste dhe nuk ke rezultat… Vjen Vllaznia në një apo dy momente dhe shënon. Është edhe çështje psikologjike. Lojtarët kanë dëshirën e madhe për të shkuar te fitorja dhe aty ku duhet të ruajnë qetësinë përpara portës, gabojnë. Kemi ardhur në rritje në lojë dhe në filozofinë tonë. Rezultati të jep qetësi. Kemi bërë mirë, por na ka munguar rezultati. Do të kemi oshilacione, sepse është skuadër e re, megjithatë jemi aty. Do të isha i mërzitur, nëse nuk do të kishim futboll dhe do kishim rezultate. Do të ishin rezultate të momentit. Por kur ke futboll, ke besim te vetja dhe shkon me entuziazëm në ndeshje, siç duhet të shkojmë ne nesër (sot)”, përfundoi Mehmeti.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"