Njeriu i akullt, Çalhanoglu në kërkim të titullit dhe rekordit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 23:45

Njeriu i akullt, Çalhanoglu në kërkim të titullit dhe rekordit

Milan-Inter, 7 nëntor 2021. Ndeshja e parë e Hakan Çalhanoglu si ish. Penallti për Interin, turku merr topin dhe e vendos me besim në pikën e bardhë. Ishte poshtë tribunës së tifozëve të Milanit. As Lautaro, as Brozoviç dhe as Perisiç.

calhanoglu

Do ta godasë ai. “Ky është i çmendur”, mund të mendojë ndonjëri. “Është një veprim sfidues nga një provokator”, mendimet e të tjerëve. Asnjë prej tyre. Në vitet e fundit në futbollin italian e kanë kuptuar që Çalhanoglu është i pagabueshëm nga pika e bardhë. Në Udine realizoi golin e 15-të me penallti nga 15 që ka goditur në total, 18 nga 18 që kur është në Itali. Në këtë sezon ka arritur në kuotën e 10 golave dhe nuk arrinte në kuotën dyshifrore që nga sezoni 2013-2014 në Gjermani.

NJERIU I AKULLT- Mund të tingëllojë paradoksale, por pikërisht Hakan Çalhanoglu është tërhequr disi në fushën e lojës nga fantazist, për të kaluar në organizator përpara mbrojtjes. Është larguar disi nga porta kundërshtare, por nuk e ka humbur shënjestrën dhe saktësinë. Ai godet më pak portën në krahasim me të kaluarën.

Por në rolin e ri ka gjetur qetësinë që kanë kampionët e mëdhenj. Kjo e ndihmon që të jetë i qetë në pikën e bardhë, edhe atëherë kur ka përballë një portier 197 centimetra si Okoje, për më tepër në një mbrëmje fantastike. Nuk mjaftoi për ta ndalur mesfushorin turk.

DREJT DERBIT- Të hënën kundër Udinezes dukej sikur gjithçka po shkonte keq në mbrëmjen e Çalhanoglusë. Në pjesën e parë dha një pasim të gabuar që solli golin e Lazar Samarxhiç, teksa më parë kishte provuar 2 herë portën dhe gjeti të përgatitur portierin. Diçka që të acaron nervat dhe të prish ndeshjen. Por nuk ndodhi asgjë nga këto. Hakan vazhdoi të bënte ndeshjen e tij si në fazën me top ashtu edhe pa top.

Dhe pastaj shkoi në zonën që nuk i trembet syri, në pikën e penalltisë. Pavarësisht se e pranoi që kjo ishte nga të vetmet penallti që ka pasur presion, nuk gaboi. Barazoi një ndeshje që më vonë u përmbys. Menjëherë nisi kori i tifozërisë.

Duhet thënë që për të këndohet gjithmonë, edhe kur nuk shënon. Hakan është simboli i rivalitetit me Milanin, por ai nuk mendon për derbin. “Nuk më pëlqen të flas për të tjerët. I respektoj të gjithë dhe kam një raport pozitiv me ish-shokët e mi”, tha pas Udinezes.

PËR REKORD- Në ndeshjen e së hënës së kaluar Çalhanoglu shënoi golin e 10-të në këtë kampionat. Kjo ishte penalltia e tetë e realizuar. Edhe në Champions ka pasur sukses në këtë sezon duke realizuar ndaj Salcburgut dhe në Superkupë kundër Lacios.

Edhe në mbrëmjen negative të “Metropolitanos” në llotarinë e penalltive ai nuk gaboi. Duket sikur roli i ri i ka ndryshuar karrierën. Nëse do të shënojë edhe një gol, Hakan do të barazonte rekordin personal të arritur 10 vite më parë. Të dielën është Kaljari, të hënën e ardhshme është Milani. Luhet për rekorde, histori dhe titullin…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"