Nisin ndryshimet, Malko emërohet trajner te Besëlidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2012 | 13:39

Nisin ndryshimet, Malko emërohet trajner te Besëlidhja

Sajmir Malko, trajneri i Lushnjes

Saimir Malko është trajneri i ri i Besëlidhjes. Ka mjaftuar një telefonatë e presidentit Gjok Noka dhe një takim mes tyre dhe gjithçka është vendosur. Tekniku lushnjar dje ka firmosur me lezhjanët, të cilët do t’i drejtojë të paktën deri në fund të kampionatit. Megjithatë, synimi i presidentit Noka është që bashkëpunimi me trajnerin e ri të jetë afatgjatë. Malko si zëvendës do të ketë Ledion Zenunin, i cili ishte trajner i parë deri dje. Kreu i klubit e kishte bërë të ditur disa ditë më parë se ishte në kërkim të një trajneri dhe se Zenuni nuk mund të vazhdonte më ta drejtonte skuadrën. Malko do të prezantohet para lezhjanëve më 7 janar, kur lojtarët do të grumbullohen për të zhvilluar fazën përgatitore të dimrit.
Noka Menjëherë pas firmosjes së kontratës, presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, për “Panorama Sport” u shpreh: “E zgjodha Malkon pasi ai ka qenë një ish-lojtar i njohur, i cili ka bërë karrierë të gjatë jo vetëm me klube të ndryshme, por ka lënë gjurmë edhe në Kombëtare. Është një trajner i ri, i cili më pëlqen dhe besoj se do të arrijë të bëjë një punë shumë të mirë te Besëlidhja. Plani im është që të punojmë gjatë me këtë Malkon dhe, nëse arrijmë të ngjitemi në Superiore, ai do të jetë tekniku ynë. Jam i bindur se skuadra do të marrë shumë shpejt frytet e këtij trajneri dhe do të nisë ngjitjen në tabelë gjatë fazës së dytë”, – shprehet Noka në prononcimin e tij.
Malko Saimir Malko e drejtoi Lushnjës sezonin e kaluar, gjatë të cilit arriti deri në “play-off”, edhe pse nuk ia doli që të ngjitej në Superiore, pasi u mund në ndeshjen shtesë nga Apolonia. Gjatë verës Malko u largua nga verdhejeshilët dhe mori drejtimin e Kamzës, por bashkëpunimi me këtë të fundit zgjati vetëm pak javë dhe ai u shkarkua për rezultate të dobëta. Tashmë trajneri vendosi të provojë një eksperiencë të re te Besëlidhja dhe e pranoi menjëherë ofertën e presidencës lezhjane. Për koincidencë, tekniku do të përballet që në javën e parë të fazës së dytë me ekipin e vendlindjes, Lushnjën. Një sfidë, e cila pritet me shumë interes. Ndërkaq, tekniku do të nisë punë me skuadrën më datë 7 janar për t’u prezantuar me lojtarët dhe për të zhvilluar fazën përgatitore.

Noka: Nuk ikën asnjë futbollist
Të gjithë futbollistët, të cilët ishin pjesë e Besëlidhjes gjatë fazës së parë, do të vazhdojnë të qëndrojnë në Lezhë. Një lajm të tillë e bën të ditur presidenti i skuadrës, Gjok Noka. “Nuk do të largohet asnjë futbollist nga Besëlidhja. Të gjithë lojtarët kanë kontratë me mua deri në fund të kampionatit dhe nuk do të lejoj asnjë të ikë. Përveç kësaj, në janar do të vijnë në ekip gjashtë lojtarë serbë, të cilët janë cilësorë dhe do t’i bëjnë shumë punë ekipit. Skuadra do të grumbullohet më 7 janar. Megjithëse, për shkak të disa festave në Serbi, futbollistët do të vijnë në Lezhë më datë 13 janar për t’u bashkuar me grupin dhe për të zhvilluar fazën përgatitore.
PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"