Nimaga: Penalltia e Tiranës ishte, por fituam me meritë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2016 | 14:40

Nimaga: Penalltia e Tiranës ishte, por fituam me meritë

nimagaFitorja kundër Tiranës, pavarësisht se ka qenë mjaft e kontestuar nga ana e bardhebluve, mbetet një trepikësh mjaft i rëndësishëm për Skënderbeun. Tri pikë që e ngjisin ekipin më tej në renditje duke ruajtur ritmin e kundërshtarëve për titull, si dhe duke mbajtur kryesimin me katër pikë para Partizanit.

Një fitore e rëndësishme për Skënderbeun, edhe sipas mesfushorit Bakari Nimaga, i cili, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, ka shprehur kënaqësinë për fitoren kundër Tiranës. Por mesfushori ka pranuar se arbitri gaboi në momentin e penalltisë së padhënë për Gilman Likën.

Nimaga, një fitore e rëndësishme, por e kontestuar. Cili është mendimi juaj?

Ishte një fitore e rëndësishme përballë një ekipi shumë të fortë dhe që kishte pretendime të mos dilte pa pikë nga Korça. Një fitore që na mban në krye me 4 pikë diferencë nga Partizani i vendit të dytë.

E cilësuat fitore e kontestuar?

Gjithmonë, kush fiton është i kënaqur, ndërsa ai që humb në shumicën e rasteve ka kontestime. Është rregull i pashkruar i futbollit, pasi askush nuk pajtohet kollaj me humbjen.

Po thoni se kontestimi i Tiranës për penallti nuk qëndron?

Jo, nuk e thashë atë. Pas ndeshjes kisha përshtypje se nuk ishte aspak penallti, por kur pashë pamjet filmike e kuptova që diçka kishte. Penalltia qëndronte, edhe pse Vangjeli kapi fillimisht topin, por ishte dinamika e aksioni ajo që, në pamje të parë, nuk të jepte përshtypjen e 11-metërshit. Pamjet filmike treguan se arbitri gaboi. Por, nga ana tjetër, janë gjëra që ndodhin, pasi ai është atje dhe duhet të japë një vendim brenda sekondës. Edhe ne jemi ndëshkuar në disa raste nga gabimet e arbitrave. Janë gjëra që ndodhin në futboll.

Ju e quani një fitore të merituar përballë Tiranës?

Sigurisht që po. Tirana kishte ardhur në Korçë për t’u mbrojtur me shumë forca dhe u duk që nga formacioni që hodhi në lojë. Ne e dominuam kundërshtarin, si në lojë dhe në raste. Patëm mundësi shënimi që në fillim dhe shumë të tjera gjatë ndeshjes. Ajo që na mungoi ishte goli i shpejtë dhe i sigurisë. Duhet të ishim të saktë para porte dhe ta mbyllnim shpejt ndeshjen. Gjithsesi, është një fitore e merituar.

Fiton edhe Partizani kundër Kukësit. E prisnit suksesin e tyre?

Nuk na ka interesuar se çfarë do të bënte Partizani në ndeshjen e vet, pasi kishim qëllim të fitonim takimin tonë. Ne do të mendojmë vetëm për veten duke parë gjithmonë ndeshjet, pa u fokusuar te ndjekësi. Kështu kemi bërë çdo vit dhe kemi rezultuar të suksesshëm, nuk ndërrojmë taktikë. Sigurisht, u interesuam për Partizanin pasi mbaruam takimin tonë. Fituan një ndeshje të fortë dhe janë sërish atje, pas nesh, me katër pikë diferencë.

Një fitore ndaj Tiranës duket se ju afron me titullin?

Kemi marrë tri pikë dhe kemi ruajtur distancën me ndjekësen më të afërt, por tashmë ka mbetur një javë më pak nga fundi. Sigurisht kemi hedhur një hap të madh. Një fitore e rëndësishme dhe tepër domethënëse për ne për sa i përket vijimësisë.

Në një intervistë të mëparshme keni thënë se këto tri javë do të jenë kyçe për titullin, përse mendoni kështu?

Po, është e vërtetë, e kam thënë këtë pasi do të luanim kundër Tiranës që e mundëm, ndërsa tani kemi dy ndeshje të vështira në transfertë, ndaj Bylisit dhe Laçit. Mbeten dy sfida delikate dhe suksesi në ato do të na afrojë më shumë me titullin.

Sa e vështirë është ndeshja e së dielës me Bylisin?

Shumë e vështirë. Një ndeshje përballë një ekipi që kërkon pikë mbijetese. E dimë se do të luftojmë shumë për të marrë një rezultat pozitiv përballë kampionëve, pasi kjo do të ishte motivim i madh për ata. Një transfertë e vështirë që duhet ta marrim mjaft seriozisht.

Pra, vetëm fitorja ju bën punë në Ballsh?

Natyrisht, do të hyjmë në fushë për të marrë një tjetër fitore. Do të ishte shumë i rëndësishëm për ne në kuadër të luftës për titull me Partizanin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"