Nica rikthehet në krye të Laçit, Sinella: Grupi nuk po më përgjigjej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2017 | 9:48

Nica rikthehet në krye të Laçit, Sinella: Grupi nuk po më përgjigjej

Ka zgjatur vetëm katër muaj aventura e Bledar Sinellës në krye të skuadrës së Laçit, pasi dje ai ka vendosur që të japë dorëheqjen, në një kohë kur skuadra përgatitej për të luajtur ndeshjen me Kukësin. Vendimi për të ndërprerë bashkëpunimin me kurbinasit erdhi pas një takimi kokë më kokë mes trajnerit dhe presidentit Pashk Laska, i cili nuk është aspak i kënaqur me rezultatet e arritura, sidomos në javët e fundit.

Sinella

Ky vendim i 40-vjeçarit vjen vetëm dy ditë para transfertës me Kukësin, e vlefshme për javën e 31-të të Kategorisë Superiore. Bledar Sinella është trajneri i tretë që largohet nga Laçi para se të mbyllet kampionati. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai ka treguar edhe arsyet e largimit.

“Dua ta falënderoj presidentin për mbështetjen dhe besimin, por u largova nga Laçi, pasi grupi nuk më përgjigjej në disiplinën sportive dhe në çdo kuptim tjetër të fjalës disiplinë. Kisha disa ditë që e mendoja largimin dhe jam shumë i qetë me veten për këtë vendim që kam marrë”, ka thënë trajneri 40-vjeçar, i cili ka drejtuar skuadrën e Laçit që nga muaji janar deri në këto momente, duke bërë një punë të mirë, edhe pse rezultatet e fundit nuk kanë qenë shumë pozitivë.

Rikthimi

Nuk u është dashur shumë kohë drejtuesve të Laçit, që të gjejnë zëvendësuesin e Sinellës. Presidenti Laska ka rikthyer në stol një emër të njohur në kampin kurbinas, siç është Stavri Nica. Pak kohë më parë ka drejtuar edhe skuadrën e Besëlidhjes në Kategorinë e Parë.

Nica ne krahet e lojtareve

Nica e njeh mjaft mirë ambientin kurbinas dhe rikthimi i tij mund ta ndihmojë Laçin që të dalë nga situata e vështirë që po kalon. Gjithsesi, trajnerit të ri i duhet pak kohë që të njohë nga afër të gjithë kontingjentin e lojtarëve. Debutimi i Nicës, pas këtij rikthimi në pankinë, do të jetë një përballje e vështirë ndaj Kukësit, që kryeson kampionatin në transfertë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"