Nga Zhongo te Mingos dhe Lamçe, si ndryshoi Kukësi nga dora e Devollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 14:03

Nga Zhongo te Mingos dhe Lamçe, si ndryshoi Kukësi nga dora e Devollit

Pavarësisht se Kukësi është gjithnjë e më pranë rënies nga Superiorja, rezultatet e javëve të fundit dhe fakti që janë me një këmbë në finale të Kupës, tregon për një skuadër që ka bërë vërtet mirë. Mirëpo, rezultatet e dobëta në tre fazat e para praktikisht kanë zhbërë deri më tani edhe përpjekjet që ka bërë klubi për të synuar qëndrimin, edhe pse kanë ende shpresa matematikore. Deri në fund, verilindorët do të bëjnë kampionatin e tyre, edhe pse tanimë jo gjithçka varet drejtpërdrejt nga ata. Vetëm nëse i fitojnë të gjitha ndeshjet mund të tentojnë edhe mrekullinë.

kukesi

“KLANI HELEN” – Nëse Kukësi vazhdon të besojë ende dhe të luftojë në dy fronte, lidhet me ekuilibrat që ka gjetur Bledar Devolli në skuadër. Mjafton të thuhet që në gjashtë ndeshjet e fundit midis kampionatit dhe kupës që Kukësi ka pësuar vetëm dy gola dhe nga këtu nis më pas edhe shpresa e skuadrës për fitoret. I gjithë sekreti i mbrojtjes hermetike duket se lidhet me “klanin helen”. Thuhet kështu, pasi katër lojtarët kryesorë që kanë punë direkte me prapavijën dhe ruajtjen e portës vijnë nga kampionati grek dhe që për më tepër kanë marrë kulturën futbollistike nga fqinjët tanë. Për shumë vite kanë jetuar aty, madje tre prej tyre kanë lindur edhe në këtë shtet, por që sigurisht janë shqiptarë. Për ta nisur nga portieri Angelo Tafas dhe vijuar me qendërmbrojtësin Vasil Zhongo. Të dy këta kanë qenë ndër shtyllat e kësaj skuadre këtë sezon dhe janë ndër më të aktivizuarit dhe titullarë të padiskutueshëm.

Dy “zbulimet” e radhës të Bledar Devollit më pas janë Franko Lamçe që po luan si shkatërrues para mbrojtjes dhe Theodoros Mingos që ka fituar një rol titullari po në mesin e fushës, me shumë detyra mbrojtëse. Me pak fjalë, në sajë të “klanit helen” në skuadër, Kukësi po mban gjallë shpresat për mbijetesë dhe finalen e kupës. Me një farë sigurie në prapavijë, është më e thjeshtë për fazën e sulmit që të gjejë rrugën e rrjetës dhe verilindorët të tentojnë maksimumin. Gjithsesi, koha punon në disfavor të tyre dhe mbetet epur t’u parë nëse do të bëjnë ndonjë mrekulli deri në fund të edicionit apo rënia në të Parën do të jetë e pashmangshme.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"