Nga trajneri i ri te synimet, flet nigeriani Orelesi: Mërgjyshi është ekspert, e çudisim Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 23:23

Nga trajneri i ri te synimet, flet nigeriani Orelesi: Mërgjyshi është ekspert, e çudisim Flamurtarin

Nuredin Orelesi mendon se Artan Mërgjyshi do ta fus në “shina” Apoloninë. Ka një njihje të vjetër me trajnerin, që prej kohës kur luante te Dinamo. Ribashkohen në Fier, për të tentuar ngjitjen në elitë.

Orelesi-1edited

Një mision që mesfushori e quan të arritshëm, qoftë edhe nëpërmjet fazës “play off”. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, nigeriani analizon gjithçka ka ndodhur me fierakët gjatë kësaj periudhe. Zbulon edhe shkakun që iu bashkua ekipit vetëm katër më parë në stërvitje…

U kthyet vetëm katër ditë më parë në Fier, si e gjetët grupin?

Unë kisha marrë leje nga klubi dhe iu bashkova ekipit në fillimit të javës. Gjeta një grup të plotë dhe pa dëmtime. Ky është shumë lajm shumë i mirë për ne. Skuadra është e kompletuar dhe jemi më shumë se gati për rinisjes e garës.

Vit i ri dhe trajner i ri. Si e komentoni ardhjen e “ekspertit” Mërgjyshi?

Mendoj se është zgjedhja e duhur. E njoh personalisht, pasi dikur kemi qenë pjesë e rëndësishme e Dinamos. Profesor Mërgjyshi është një profesionist i vërtetë, fjalëpakë dhe punëshumë. Ka bërë shumë mirë në çdo skuadër që ka qenë, si në Superiore ashtu edhe në Kategorinë e Parë, ndaj besoj që edhe me Apoloninë mund të bëjë më shumë dhe më mirë. Do të na ndihmojë për të qenë kompakt në mbrojtje dhe pragmatistë në sulm.

Si e vlerëson Orelesi ecurinë e deritashme të Apolonisë?

Të tregohem i sinqertë, ecuria mund të ishte edhe më e mirë. Impenjimi ka qenë maksimal në çdo ndeshje, po ashtu dëshira dhe “uria” për pikë. Megjithatë, episodet i kemi pasur në disfavor. Kemi lënë pikë të konsiderueshme në katër ndeshjet e fundit, por fatmirësisht jemi në kohë për t’i rikuperuar. Ka ardhur momenti të reagojmë, për veten tonë, ecurinë e ekipit dhe në fund, por jo për nga rëndësia, për tifozët tanë të mrekullueshëm.

Kundërshtari i javës së 17- të është Flamurtari. Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për Apoloninë?

Do të jetë padyshim një ndër ndeshjet më të rëndësishme, pasi luajmë ndaj një ekipi që ka treguar shumë cilësi në pjesën e parë të kampionatit. Normalisht që ka ndryshime në organikë, por që mbetet një ndeshje e fortë dhe delikate. Kemi punuar dhe do të punojmë me detaje të hollësishme anën teknikotaktike, pasi duhet të bëjmë ndeshjen perfekte përballë Flamurtarit.

Luani vetëm për fitore ndaj vlonjatëve?

Realisht kemi nevojë vetëm për pikët e plota dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën ndaj Flamurtarit në stadiumin “Loni Papuçiu”. E kemi të qartë se përballë kemi një kundërshtar me vlera, por do të hyjmë në fushë për të dhënë e marrë maksimumin. Të shpresojmë që ato gjëra të mira që bëjmë çdo ditë në stërvitje t’i tregojmë edhe në këtë ndeshje të rëndësishme.

Jeni -4 pikë nga Flamurtari, kush e ka presionin para kësaj ndeshje?

Presion? Kemi hyrë në një fazë të kampionatit ku të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë dhe sa vjen e bëhet më e vështirë gara. Pastaj, ne jemi Apolonia dhe fitorja është një detyrim për ne në çdo ndeshje. Pak rëndësi ka ku luajmë, brenda apo jashtë. Mund të them me bindje të plotë, se jemi gati për të synuar objektivin maksimal.

Tashmë që i njihni mirë kundërshtarët, a mund të pretendojë vërtetë ngjitjen Apolonia?

Çdo skuadër ka synimet e veta, edhe ne po ashtu. Ne e kemi thënë që në krye të herës, që duam ngjitjen në elitë. Arrihet direkte apo nëpërmjet fazën “play off”, kjo do shihet në vazhdimësi. Parashikoj një pjesë të dytë të sezonit, më të vështirë. Të gjithë do të kërkojnë pikë dhe do ecin me llogari në çdo javë, ndaj duhet kujdes.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"