Nga pauza te synimet e klubit vlonjat, rrëfehet Troisi: Kam punuar shumë psikologjikisht, Flamurtari do të ngjitet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2022 | 11:17

Nga pauza te synimet e klubit vlonjat, rrëfehet Troisi: Kam punuar shumë psikologjikisht, Flamurtari do të ngjitet!

Marcelo Troisi i gëzohet ndërprerjes së kampionatit. Braziliani mendon se skuadra do të përmirësohet, por do të rikuperohen edhe lojtarët që kanë shfaqur probleme dëmtimesh. Për “Panorama Sport”, trajneri analizon edhe ndeshjen me Burrelin. Ai thotë se duhet harruar ajo lojë, ndonëse në fund u gëzohet pikëve dhe vendit të parë.

TROISI

“Përgjithësisht jam i kënaqur me skuadrën, e cila po rritet gjithnjë e më shumë dhe po më bind. Të them të drejtën në ndeshjen me Burrelin nuk më kënaqi loja e skuadrës.

Nuk luajtëm mirë. Por rëndësi ka që fituam, morëm tri pikët dhe jemi në vend të parë sot. Kjo gjë më kënaq më shumë pavarësisht se dua edhe lojë të bukur.

Këtë gjë unë e kërkoj me ngulm edhe në stërvitje. Na duhen pikët, por duhet të kënaqim tifozët edhe me mënyrën e interpretimit të lojës.

Na duhet që të harrojmë tashmë atë ndeshje dhe të mendojmë për të rikuperuar dhe përmirësuar sa më shumë.

Pauza nga kampionati botëror do të na ndihmojë së tepërmi edhe për riaftësimin e lojtarëve që kanë pasur probleme dëmtimesh.

Kështu që jam shumë i qetë në këtë drejtim”, shprehet fillimisht tekniku i kuqezinjve.

SUPERIORJA

Pavarësisht se e cilëson një rrugë të gjatë dhe të vështirë, ai e sheh Flamurtarin të ngjitur në Superiore. “Dihet objektivi i klubit. Patjetër që është Superiorja.

Ne çdo ditë punojmë për këtë gjë dhe jemi këtu për ta çuar skuadrën aty ku duhet të shkojë.

Pritshmëritë e drejtuesve, por edhe tifozëve, janë të mëdha ndaj kësaj skuadre dhe këtë gjë e dimë.

Natyrisht që dimë edhe që do të jetë një rrugë e vështirë, pasi kemi ende shumë ndeshje për të zhvilluar.

Por është diçka që nuk është e pamundur. Jemi në rrugë të mbarë dhe duhet të përmirësohemi më shumë dhe të mbajmë këtë ritëm pozitiv”, thotë braziliani.

VLERËSIMI – Në numrin e djeshëm të gazetës, ish-trajneri Eqerem Memushi vlerësoi punën e bërë prej tij dhe kjo gjë nuk mund të mos e gëzojë Marcelo Troisin:

“Më vjen mirë për këto fjalë. Ky ndryshim i skuadrës është meritë e të gjithëve. Unë i gjeta këta lojtarë, e gjeta grupin. Por unë kam punuar shumë me anën psikologjike të skuadrës.

E kam thënë dhe e përsëris, se duhet të keni besim te trajnerët e huaj dhe jo të na shikoni me sy tjetër.

Pastaj ju e dini që unë tanimë jam prej shumë vitesh këtu në Shqipëri dhe me eksperiencë në shumë skuadra.

Unë kam punuar te Laçi, Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe jam ambientuar këtu. Kështu që nuk quhem më i huaj. Jam te Flamurtari për të bërë më të mirën”.

BOTËRORI

Marcelo Troisi ndalet edhe te dëshirat, por edhe parashikimi për Botërorin.

“Unë dëshiroj, por edhe kam bindjen se Kupa e Botës do të fitohet nga Brazili.

Ndërsa Portugalia do të jetë nënkampione”, thotë Troisi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"