Nga Kosova në Durrës, Shabani tregon për projektin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2014 | 12:30

Nga Kosova në Durrës, Shabani tregon për projektin

Xhevdet ShabaniXhevdet Shabani është një nga përforcimet më cilësore të Teutës deri më tani. 27-vjeçari la kampionatin kosovar dhe Dritën e Gjilanit për t’u bërë pjesë e durrsakëve sezonin e ri. Në Superligën kosovare, për disa vite radhazi, Shabani ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur të kampionatit, jo vetëm te gjilanasit, por edhe te skuadrat e tij të mëparshme, Ferizaj dhe Lepenci. “Sinqerisht jam shumë i lumtur që u transferova në Durrës. Teuta është një ndër ekipet më cilësore të kampionatit shqiptar dhe besoj që kam bërë zgjidhjen e duhur. Falënderoj stafin dhe presidencën për mundësinë, ndërsa shpresoj të bëj më të mirën. Kjo lëvizje është një tjetër hap cilësor në karrierën time dhe shpresoj ta shfrytëzoj siç duhet”, – thotë fillimisht lojtari.
Çfarë ju bindi të transferoheshit te Teuta?
“Pa dyshim projekti dhe ambiciet e klubit. Teuta është një skuadër shumë cilësore, që gjithmonë lufton për të arritur në kupat europiane. Këto vite që unë kam ndjekur kampionatin shqiptar kam vënë re se Teuta gjithmonë ka pasur një skuadër të qëndrueshme dhe konkurruese. Jam informuar nga drejtuesit e klubit edhe për planet e ekipit, çka ma lehtësoi edhe më tej zgjedhjen time. Si fillim kam dëshirë dhe bindje që do të renditemi mes tre vendeve të para. Nëse gjërat ecin më mirë, pse jo, të pretendojmë edhe më shumë, por është akoma herët për të biseduar për këtë temë. Po e ndjek çdo ditë merkaton e Teutës dhe po shoh që po afrohen lojtarë cilësorë, ndaj besoj që kjo do të na ndihmojnë në objektivat që do të kemi si skuadër. Pastaj, nëse bëjmë mirë si grup dhe arrijmë synimet e ekipit, do të vijnë edhe sukseset personale”, – përfundon Shabani.
Roland Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"