Nga financat tek arbitrat, FSHB-ja mban asamblenë. Gorea: Po na detyroni ti bëjmë “naftën” basketbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2023 | 16:34

Nga financat tek arbitrat, FSHB-ja mban asamblenë. Gorea: Po na detyroni ti bëjmë “naftën” basketbollit

Federata Shqiptare e Basketbollit ka zhvil luar dje në Tiranë asamblenë e zakonshme vjetore, një asamble e drejtuar nga presidenti i FSHB-së, Avni Ponari dhe me praninë e Komitetit Drejtues dhe të përfaqësuesve të shoqatave. Gjithçka nisi me prezantimin e aktiviteteve të vitit 2023. Një sezon në të cilin u përfshinë 1531 lojtarë, duke nisur ekipet moshave U-14 dhe deri te të rriturit.

basket

Ishin 854 ndeshjen e zhvilluara në rang kombëtar dhe 81 sidat ndërkombëtare, me ekipet e moshave dhe Kombëtaren e të rriturve. Si zakonisht edhe këtë vit problemi kryesor mbetet aspekti financiar, teksa Ponari theksoi edhe një herë rëndësinë e bërjes së ligjit të sponsorizmit, duke cituar edhe Kosovën, shtet që përveç një ligji favorizues ka buxhet rreth 10 milionë euro. Me prezantimin e aktiviteteve vjetore, Ponari konfirmoi pjesëmarrjen europiane në sezonin e ardhshëm, me dy aktivitet që do të vijnë në Shqipëri, U-16 dhe U-18 djem për Divizionin C.

Gjithashtu, u konfirmua vijimi i Ligës Unike, ndërsa Vlora ka shprehur kandidaturën për të pritur ndeshjet më grumbullim te meshkujt. Ponari u bëri apel shoqatave për të kontribuuar në afrimin e gjyqtarëve të rinj, duke e konsideruar si problematike për federatën mungesën e arbitrave, me FSHB-në që numëron aktualisht rreth 15 gjyqtarë gjithsej, ndërsa vetëm 3 prej tyre janë ndërkombëtarë.

Gjithashtu, në rendin e ditës ishte edhe pranimi i disa shoqatave të reja anëtare, të cilat aktualisht nuk kanë të drejtë vote, pasi nuk kanë marrë regjistrimin në gjykatë. Një temë e nxehtë që prodhoi edhe shumë debate ishte pasqyra financiare, me disa shoqata që ngritën zërin për vendimet e marra nga federata, duke nisur që nga rritja e tarifave. Debate prodhoi edhe çështja e arbitrave dhe komisioneve në FSHB, ndërsa më poshtë ju pasqyrojmë disa prej qëndrimeve të shoqatave.

1

BESËLIDHJA –

Gjatë diskutimit me presidentin Ponari, përfaqësuesi i Besëlidhjes, Albert Ndreu, ngriti disa shqetësime, ndërsa shpesh herë u ngritën edhe tonet në sallë: “Nuk janë marrë në konsideratë propozimet tona për tarifat e transferimit. Nuk e dimë pasqyrën financiare dhe ndarjen e tyre. Federata është e falimentuar, pasi nuk keni të ardhura përveç buxhetit. Mirë është të na kthenit përgjigje për propozimet që kemi bërë dhe ato të votoheshin në asamble”, u shpreh ndër të tjera Ndreu.

TEUTA –

Presidenti i Teutës, Arqile Gorea, foli edhe një herë tjetër për mënyrën e funksionimit të FSHB-së: “Është provokuese dhe cinike të vendosë kryesia dhe jo ne shoqatat që paguajmë lekët, pasi vendimmarrjet duhen bërë nga asambleja. Federata vuan nga demokracia e brendshme. Po vjen dita të themi ‘të bëfsha naftën në basketboll’, pasi ne paguajmë dhe ju talleni. Nuk është bërë asgjë për arbitrat dhe të rinjtë mund ti zgjedhë vete federata. Shikojmë që ka penalitete dhe ndëshkime për të gjithë, por jo për arbitrat. Themelet e sportit nisin te arbitrimi dhe ai duhet të jetë i paanshëm”, u shpreh Gorea, i cili më tej shtoi: “Duhet hequr dorë nga koncepti ‘kryesia’, e cila është për vendime të shpejta dhe jo themelore. Rishikoni demokracinë brenda federatës. Duhet transparencë për financat, x lekë janë mbledhur nga ekipet, x nga buxheti i shtetit, që të dimë dhe të japim mendimet tona. Por masat më drastike duhet të jenë për arbitrat. Ata që vërtetohen se merren me dallavere, duhen zhdukur nga basketbolli. Gjithashtu, kërkojmë short për arbitrat dhe të kemi të drejtë për ti refuzuar ata. Ndërsa një tjetër shqetësim është mos-transmetimi i ndeshjeve në televizion, pasi duke mos u transmetuar lindin edhe problemet e mëdha me gjykimin e këtyre takimeve. Jam i gatshëm të negocioj me RTSH-në që ta zgjidhim këtë problem”, deklaroi ndër të tjera Gorea.

gorea

PARTIZANI –

Trajneri i Partizanit, Erdal Borova, foli për konfliktin e interesit në federatë. “Ne si shoqata nuk dimë se cilat janë komisionet në FSHB dhe kush na i cakton arbitrat. Nuk dimë ku të drejtohemi për ankesat tona. Si mund të funksionojë në këtë formë, kur nuk dimë ku të ankohemi. Komisionet janë shumë të rëndësishme, por këtu ka probleme me konfliktin e interesit. Ankesat tona shqyrtohen nga të njëjtën persona që e kanë dhënë dënimin apo pezullimin”, u shpreh Borova.

PONARI –

Numri një i basketbollit shqiptar, Avni Ponari, iu përgjigj shqetësimeve të ngritura shoqatave anëtare, duke e nisur që nga pasqyra financiare, deri të çështja e arbitrave: “Financat mund të vijë secili dhe të shikojë çdo veprim të bërë. FSHB-ja nuk është debitore si volejbolli apo shumë federatë të tjera dhe për këtë jam krenar. Mund të kontrolloni gjithçka me detaje. Për sa u përket arbitrave u bëj thirrje që të jenë të kujdesshëm, të mos bien pre e presioneve dhe të zbatojnë vetëm rregulloren.

Refuzimi i arbitrave nga skuadrat nuk mund të bëhet sipas rregullores së FIBA-s. Ndërsa shorti për arbitrat mund të krijojë probleme për shkak të numrit të vogël të ndërkombëtareve. Shortin mund ta bëjmë fare mirë, pasi nuk na kushton asgjë, por me short mund të ulet niveli i gjykimit. Ndërkohë, për sa u përket komisioneve, ato janë të gjitha të ngritura dhe funksionojnë normalisht”, deklaroi ndër të tjera presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.

2

3

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"