Ndeshja kundër Anglisë, Brazili viziton “Uembli”-n për të thyer një tabu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2024 | 10:26

Ndeshja kundër Anglisë, Brazili viziton “Uembli”-n për të thyer një tabu

Një sfidë spektakolare që do të pagëzojë nisjen e epokës “Dorival Zhunior” në ekipin brazilian. Përballja me Anglinë në “Uembli” është zakonisht një nga misionet më të vështira dhe më të lavdishme për çdo ekip, dhe për Brazilin vjen me një sfidë, e cila është të fitojë për herë të parë në një nga stadiumet më legjendare në botën e futbollit pas rinovimit të tij.

angli brazil

Me peshën e më shumë se 100 viteve histori, “Uembli”, mbart me vete fakte të rëndësishme në marrëdhëniet me Brazilin. Pele, për shembull, nuk luajti kurrë në stadiumin që priti finalen e Kupës së Botës 1966. Janë 12 ndeshje për “Seleçaon” aty ku do të luajë sot, me shtatë barazime, tri fitore të anglezëve dhe vetëm dy fitore të brazilianëve, të dyja përpara rinovimit të stadiumit, kryer midis viteve 2003 dhe 2007.

I inauguruar në vitin 1923, “Uembli”-t iu shkatërrua shtëpia e saj origjinale në mënyrë që një arenë moderne dhe shumëfunksionale të mund të ndërtohej në të njëjtin vend. Me një kapacitet prej 90.000 spektatorësh, stadiumi i ri është tani skena për koncerte, lojëra regbi dhe disa ndeshje futbolli kryesisht të kombëtares dhe kompeticioneve të kupave: Finalja e Ligës së Kampioneve të këtij viti do të luhet atje, më 1 qershor.

Marrëdhënia me futbollin brazilian është aq e fortë sa “Seleçao” u ftua në rihapjen e impiantit më 1 qershor 2007 në barazimin 1-1. Terri zhbllokoi rezultatin dhe Diego Ribas barazoi në minutat e fundit. “Uembli” i ri priti Brazilin në vitin 2013 për një fitore angleze 2-1, me golat e Runit, Lampardit dhe Fredit dhe më 14 nëntor 2017 përfundoi 0-0. Por kapitujt e epokës para-moderne, rezervojnë kujtimet më të mira për Brazilin. Pasi u mundën 4-2 në vizitën e tyre të parë, në 1956, dhe barazuan në 1963 dhe 1978, “Seleçao” fitoi për herë të parë më 12 maj 1981: 1-0, me një gol të mrekullueshëm nga Ziko. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, brezi i katërt përsëriti këtë sukses me një fenomen të ri si Ronaldo protagonist.

Brazili dhe Anglia luajtën në finalen e Kupës Umbro më 11 qershor 1995, një vit pas titullit në SHBA, dhe skuadra e drejtuar nga Zagalo fitoi me përmbysje 3-1. Le Soks zhbllokoi rezultatin, por Zhuninjo Paulista, Ronaldo dhe Edmundo siguruan një fitore imponuese. Formacioni atë ditë kishte: Zeti, Zhorginjo, Aldair, Marsio Santos dhe Roberto Karlos; Dunga, Sezar Sampaio, Zinjo, Zhuninjo; Edmundo dhe Ronaldo.

HUMBJET OLIMPIKE DHE TË FEMRAVE Historia e Brazilit në “Uembli” shkon përtej ekipit kryesor të meshkujve dhe me kujtime që nuk janë më të mirat. Pas modernizimit, “Seleçao” përjetoi momente vendimtare në kampionatin olimpik dhe atë të femrave, por përfundoi i mundur në të dyja. Medalja e artë e paprecedentë në atë kohë, i rrëshqiti nga duart një Brazili nën komandën e Nejmarit dhe me Mano Menezesin si trajner në “Lojërat Olimpike Londër 2012”. Me lojtarë si Tiago Silva, Hulk dhe Oskar në formacionin titullar, “Seleçao” u mund 2-1 nga Meksika në një finale traumatike, për shkak të golit të pësuar pas një gabimi individual në minutën e parë dhe dominimit meksikan. Oribe Peralta shënoi të dy golat, ndërsa Hulk realizoi në fund. Në të njëjtën Olimpiadë, Brazili dhe Anglia luajtën ndeshjen e parë të futbollit të femrave në histori. Hjuxhton, pas dy minutash, u dha fitoren britanikëve. Në prill të vitit të kaluar, skuadra e femrave u kthye në “Uembli”, por përfundoi duke u mposhtur nga Anglia në finale. Ndeshja që bashkoi kampionët e Europës dhe Kupës së Amerikës përfundoi me penallti pasi Andresa Alvesh barazoi në minutën e 48-të të pjesës së dytë. Anglezët fituan kupën me suksesin 4-2.

LONDRA, ME TJETËR HISTORI Nëse rekordi i “Uembli”-t tregon vështirësitë e amerikano-jugorëve, Londra është një qytet ku Brazili ka luajtur shumë këtë shekull dhe ka regjistruar rezultate pozitive. Në stadiume të ndryshme nga tempulli i kombëtares angleze, ka pasur 11 ndeshje që nga viti 2006, me nëntë fitore, një barazim dhe vetëm një humbje, kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldos në 2007. Stadiumi “Emirates” i Arsenalit u kthye në shtëpinë e brazilianëve në Angli, me tetë paraqitje. “Craven Cottage” i Fulhamit në 2011, “White Hart Lane”, ish-shtëpia e Totenhemit, në 2006, dhe “Stamford Bridge” i Çelsit në 2013, gjithashtu pritën Brazilin për miqësoret. Hera e fundit që “Seleçao” luajti në Londër ishte më 16 nëntor 2018: në fitoren 1-0 kundër Uruguait, në “Emirates”, shënoi Nejmar nga pika e bardhë.

ndeshjet

Përgatiti: ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"