“Na kishte marrë malli të luanim me Vllazninë, kodi i Flamurtarit është… 2023”, Idrizi: Kualifikimi, detyrim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2022 | 10:44

“Na kishte marrë malli të luanim me Vllazninë, kodi i Flamurtarit është… 2023”, Idrizi: Kualifikimi, detyrim!

Sinan Idrizi kërkon kualifikimin sot në Shkodër. Administratori i Flamurtarit e thotë hapur se ky është detyrim dhe se kësaj here kërkon diçka tjetër përballë Vllaznisë, jo si një edicion më parë, kur u eliminuan. Në një prononcim për “Panorama Sport”, kreu i klubit vlonjat theksoi se skuadra po ndryshon dhe se me pak shtysë do të shkojë aty ku duhet.

SINAN IDRIZI

“Me Vllazninë unë pres fitoren e radhës. Të them të drejtën, është gjëja më e bukur që shkojmë në Shkodër. Na kishte marrë malli të jemi në atë qytet.

Aty, në atë fushë, ke qejf të luash. Shkodra është një qytet ku luhet futboll dhe ne do të shkojmë aty për të bërë një lojë të bukur, por edhe për t’u kualifikuar njëkohësisht.

Të them të drejtën, ju e dini shumë mirë që ne e synojmë Kupën dhe e kemi si objektiv.

Vendosemi sërish përballë Vllaznisë, sikundër ishim vjet, por tani jemi me të tjera synime, të bëjmë më të mirën në Kupë dhe të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion.

Kësaj here shkojmë në Shkodër për t’u kualifikuar dhe jo si një vit më parë. Çdo gjë është objektiv te ne. Ju kam thënë dhe e përsëris, që kodi ynë është 2023.

Unë me Vllazninë pres një takim që të na kënaq me lojë dhe me rezultat. Skuadra po ndryshon dhe me pak shtysë jam shumë i bindur se do të shkojmë aty ku duam.

Kjo skuadër premton shumë dhe unë pres vetëm realizimin e objektivave, duke filluar nga ndeshja e sotme me Vllazninë në Shkodër”, është shprehur fillimisht Idrizi.

PREMIO

Flamurtari vendos premio për “kokën” e Vllaznisë. Vlonjatët shkojnë të avantazhuar për shkak të rezultatit të ndeshjes së parë, ku fituan 2-1.

Idrizi paralajmëron se do të ketë një vlerësim financiar për lojtarët dhe stafin në rast kualifikimi.

“Ata të bëjnë punën e tyre, ne do të bëjmë punën tonë. Të na dhurojnë rezultate pozitive, pastaj e dimë vetë ne se çfarë bëjmë. E kam thënë edhe një herë tjetër, që futbolli ka diçka të bukur.

Këta edhe kur humbasin, marrin rrogën, ndërsa kur fitojnë, marrin rrogën plus edhe premion.

Kjo është gjëja më e bukur e futbollit. Prandaj, të shikojnë fushën e lojës për të bërë më të mirën dhe të tjerat le të na i lënë ne të mendojmë.

Futbollistët dhe stafi të bëjnë punën që u takon”, përfundoi prononcimin kreu i klubit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"