“Na ka munguar fati”, Rashica merr “krahun”: Skënderbeu nuk zhgënjen, reagojmë ndaj Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 13:51

“Na ka munguar fati”, Rashica merr “krahun”: Skënderbeu nuk zhgënjen, reagojmë ndaj Egnatias

Skënderbeu ka hyrë në fazën më të rëndë sishme të përgatitjeve për ndeshjen e së shtunës ndaj Egnatias në Rrogozhinë. Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka filluar të punojë për rikthimin e ekipit në kushte loje dhe mbi të gjitha duke u ndalur edhe te ndërtimi i formacionit që do të zbresë në fushë në transfertën përballë kryesuesve.

Rashica Skenderbeu

Kjo ndeshje për Skënderbeun duket se vlen shumë, pasi korçarët vijnë nga një humbje e thellë 5-0 në Shkodër dhe do të mundohen të rifillojnë në mënyrën më të mirë kampionatin. Ky është edhe objektivi i vendosur nga klubi bardhekuq për skuadrën. Edhe lojtarët e kanë të qartë se çfarë duhet të bëjnë në Rrogozhinë. Sipas sulmuesit të talentuar, Ermir Rashica, një rezultat pozitiv ndaj Egnatias është i rëndësishëm për të kthyer harmoninë dhe qetësinë në kampin korçar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 19-vjeçari flet për ndeshjen e radhës dhe mbi të gjitha për momentin që është duke kaluar ekipi.

“Kampionati po rifillon dhe ne jemi duke u përgatitur për ndeshjen e radhës në transfertë. Ka qenë një pjesë e rëndësishme ajo që kemi bërë në këto dy javë, pasi jemi munduar të mbajmë lart formën fizike dhe të rregullojmë një pjesë të gabimeve që kemi shfaqur në ndeshjet e fundit. Po përgatitemi për ndeshjen ndaj Egnatias dhe mund të them se do të bëjmë gjithçka duhet, që të interpretojmë në mënyrën më të mirë këtë takim. Kundërshtari është i fortë dhe padyshim që meriton respektin dhe përqendrimin maksimal nga ana jonë. Në anë tjetër, ne do të shohim vetëm punën tonë dhe të mendojmë për objektivin, që është rikthimi tek rezultatet pozitive. Vijmë nga dy humbje dhe më e rëndësishme tani është të reagojmë. Kemi vuajtur shumë në ndeshjet e fundit dhe mund të them, se edhe fatin e kemi pasur kundër. Mendoj se nuk kemi marrë atë që kemi treguar në fushë, pasi ka pasur momente kur jemi penalizuar. Gjithsesi, tashmë këto janë pjesë e së kaluarës, ndaj nuk do të mendojmë shumë për to. Kemi një ndeshje të vështirë përpara dhe do të mundohemi të bëjmë më të mirën”, ka thënë Rashica.

SULMI I ndalur më pas tek reparti i sulmit, që në ndeshjet e fundit nuk ka bërë aq mirë nga sa pritej, për Rashicën nuk është një shqetësim, pasi ekipi ka prodhuar lojë. Sipas tij, Skënderbeu ka potencial në ofensivë dhe rivalitet të madh mes lojtarëve dhe kjo do të jetë një armë më shumë për të dhënë gjithmonë më të mirën.

“Sulmi nuk mendoj se po kalon një krizë, por ka edhe momente të tilla, që nuk ke fat dhe besoj se kjo na ka kushtëzuar. Kemi një repart mjaft të mirë me lojtarë cilësorë dhe mbi të gjitha me rivalitet të madh për sa i përket fanellës së titullarit. Kjo na bën që të rritemi më shumë nga dita në ditë. Besoj se jemi në nivelin e duhur, pasi ekipi prodhon dhe sulmi është atje. Thjesht kemi kohë të mësohemi me lojën dhe të shprehim më të mirën në fushë”, përfundoi Rashica prononcimin për gazetën.

Ky është sezoni i tij i parë në Superiore, ndërsa si pjesë e Skënderbeut ka arritur të grumbullohet edhe nga Kombëtarja U-21 e Shqipërisë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"