Mungesa e Champions-it dhe huazimet, rrezikohet një greminë financiare te Juventusi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 23:58

Mungesa e Champions-it dhe huazimet, rrezikohet një greminë financiare te Juventusi

Mes shumë problemeve me të cilat Juventusi duhet të përballet në këtë sezon të pabarabartë mes fushës dhe gjykatave, është edhe ai i llogarive, të cilat në muajt në vijim ka gjasa të rezultojnë një alarm i kuq i frikshëm.

alegri

Përjashtimi nga Liga e Kampioneve do të hapë një gropë shumë të thellë ekonomike, duke menduar vetëm paratë që të ofron kompeticioni më i rëndësishëm për klube. Sipas përllogaritjeve, deri në fazën e 1/8-ave të paktën, humbjet mund të shkojnë deri në 90 milionë euro, 70 nga pjesëmarrja dhe pagesat e tjera që garanton Liga e Kampioneve, plus 20 milionë të tjera që mund të sillte stadiumi.

Gjithsesi, deri këtu çdo gjë ndoshta ishte llogaritur edhe nga drejtuesit, duke qenë se janë në mes të dy zjarreve, për sa i përket çështjes së plusvalencave, por në të njëjtën kohë edhe të gjyqit të radhës për çështjen e skandalit të pagave, i cili pritet që të japë një dënim të radhës për “zonjën e vjetër”. Një tjetër dhimbje koke mund të vijë nga rikthimet që priten nga huazimet.

Masimiliano Alegri, apo ndoshta ai që mund ta zëvendësojë atë, në rast se klubi vendos të bëjë një revolucion, përveç grupit aktual mund të gjejë në dispozicion edhe Denis Zakarian, aktualisht te Çelsi, Artur Melon (Liverpul) dhe Ueston MeKeni te Lids Junajtid. Një tjetër, edhe pse ndoshta i vetmi, i cili ka shanse që të blihet përfundimisht është Dejan Kulusevski nga Totenhemi, për 35 milionë euro, ndonëse garanci nga Londra deri tani nuk kanë ardhur.

Nëse në verën e kaluar bardhezinjtë fërkuan duart dhe kishin shpresa të mëdha se të paktën këta katër emra të rëndësishëm në këtë verë do të mund të bliheshin nga klubet që i kërkuan me ngulm dhe mund të sillnin deri në 140 milionë euro, siç u theksua më lart, përveç Kulusevskit të tjerët kanë jo më shumë se 10 për qind mundësi që të blihen. Zakaria ka qenë një fantazmë në “Stamford Bridge”, Artur Melo edhe më keq në Liverpul. I vetmi që ka qenë protagonist ka qenë Ueston MeKeni, por edhe ai nuk ka arritur që të bindë siç duhet drejtuesit e Lidsit, pavarësisht startit pozitiv dhe me shumë mundësi do të rikthehet në bazë.

Kjo do të thotë që nëse emrat e mësipërm nuk gjejnë ndonjë sistemim tjetër, pse nga ndonjë shitje definitive, në arkat e Juventusit do të shtohen edhe tri ose katër paga me një peshë shumë të lartë, duke qenë se të gjithë përfitojnë nga 4 milionë euro e sipër. Madje, edhe Lacio e Empoli nuk do ta “ndihmojnë” aspak “zonjën e vjetër”, sepse edhe Luka Pelegrini (huazim me të drejtë blerje për 15 milionë euro) dhe Marko Pjaca (huazim me të drejtë blerje 5 milionë), nuk duket se kanë shanse që të shlyhen…

Shkurt, Juventusin e pret një verë për të vënë duart në kokë nga çdo aspekt, prandaj këtë herë më shumë se kurdo tjetër në të paktën 20 vitet e fundit, nevojitet një plan i veçantë dhe i përpiluar me shumë kujdes, për të mos rënë në një greminë jo vetëm financiare, por edhe psikologjike, nga e cila do të jetë shumë e vështirë për të dalë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"