Moviola e Kastrioti-Tirana/ Gafa pa fund nga arbitrat, u falën katër kartonë të kuq (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2023 | 14:46

Moviola e Kastrioti-Tirana/ Gafa pa fund nga arbitrat, u falën katër kartonë të kuq (VIDEO)

Arbitri kryesor i ndeshjes së djeshme në Kamzë, Klodian Shahini, ka falur të paktën katër kartonë të kuq. Në 15 minutat e para dueli ka qenë me disa episode për ndëshkime maksimale, ndërsa çuditërisht edhe sistemi VAR, ku ishin Andi Koçi dhe Mario Shazivari, nuk ka reaguar, duke falur goditje pa top dhe gjeste antisportive nga lojtarët. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet për moviolë.

bandicam 2023-02-28 13-07-00-044

4′ Bedri Greca i Kastriotit, në një kërcim në ajër pas duelit me Kristjan Toshevskin, godet me takë në kokë mbrojtësin maqedonas të Tiranës. Arbitri Klodian Shahini nuk i jep as karton të verdhë. Pamjet filmike tregojnë se sulmuesi i krutanëve duhej ndëshkuar direkt me të kuq. Sistemi VAR me Andi Koçin dhe Mario Shazivarin është gjithashtu në gjumë, teksa kryesori nuk denjon të shikojë pamjet filmike.

7′ Abaz Karakaçi shtyn me duar në një aksion të ndaluar brazilianin e Tiranës, Patrik. Ky i fundit i kthehet dhe më pas arbitri ndëshkon të dy lojtarët me karton të verdhë. Një rast ku nëse do të shqyrtoheshin pamjet filmike, lojtarët mund të dilnin të dy me të kuq.

14′ Edon Hasani në duel me Regi Lushkjën, pasi mbron topin dhe e pason, më pas godet me kokë këtë të fundit. Arbitri ndërpret lojën dhe ndëshkon me të verdhë mesfushorin e Kastriotit. Krijohet një kaos në fushë me lojtarët e të dyja skuadrave që përleshen me njëri-tjetrin. Edhe Bekaj lë portën në këtë moment dhe bëhet pjesë e përplasjes, teksa Hasani i shkon nga pas dhe e shtyn. Arbitri duhet të nxirrte direkt me të kuq lojtarin e krutanëve për një gjest të përsëritur. Pamjet filmike sërish nuk shikohen nga arbitri kryesor për këtë episod.

40′ Tirana pretendon për një penallti pas goditjes me kokë të Patrik dhe devijimit të topit nga Zogaj. Arbitri vijoji lojën dhe pamjet i japin të drejtë, pasi lojtari i krutanëve e ka prekur topin me pjesën e barkut. 47′ Patrik shënon për Tiranën pas një kundërsulmi, por anësori Lama anulon golin për pozicion jashtë loje. Më pas futet në lojë VAR-i dhe goli është i rregullt, teksa Patrik mbahej në lojë nga Stojanoviç.

54′ Mihana godet drejt portës, Iseni e devijon topin me dorë, por arbitri Shahini nuk e akordon penallti. Më pas, sinjalizohet nga dhoma e VAR-it dhe shkon të shikojë pamjet filmike, duke konfirmuar se kemi të bëjmë me 11- metërsh për Kastriotin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"