Milionat bëjnë të lumtur zikaltrit, shifrat që i buzëqeshin ekipit të Inzagit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2024 | 23:36

Milionat bëjnë të lumtur zikaltrit, shifrat që i buzëqeshin ekipit të Inzagit

Interi buzëqesh. Jo vetëm për rezultatet në fushën e lojës dhe për një klasifikim që e sheh gjithmonë afër me titullin kampion. Buzëqesh për të ardhurat që u zyrtarizuan ditën e martë për gjysmën e parë të sezonit (265 milionë euro që përkthehet në +34.6% në krahasim me sezonin e kaluar.

inter

Një peshë të rëndësishme e kanë pasur sponsorët, por nuk mund ta mohojmë që shitjet e Onanës dhe Brozoviçit që futen në bilancin e sezonit 2023- 2024 nuk kanë ndikuar. Fitimet nga biletat për ndeshjet e luajtura në “San Siro” apo akordet komerciale, që nuk lidhen vetëm me fanellat kanë mbushur arkat.

Interi ka arkëtuar 80 milionë euro këtë sezon, nga 53 në vitin e kaluar dhe kjo falë rinovimit me “Nike” dhe me “Paramount+”. Interi ka arritur marrëveshje me disa kompani të ndryshme, të cilat kanë sjellë miliona të vlefshme.

NË RRITJE- Dhe në sezonin 2024-2025 shifra e të ardhurave pritet që të rritet akoma më shumë. Për momentin jemi në kuotën e 72 milionë eurove të garantuara, por mungon ende zyrtarizimi i sponsorit të fanellës që me shumë mundësi do të jetë kompania e basteve “Betsson”.

Edhe “Ebay” që Interi mban të stampuar në fanellë do të hiqet nga sezoni i ardhshëm për një tjetër sponsor sepse akordi skadon në fundin e sezonit. Sigurisht që marrëveshjet e reja do të kalojnë 100 milionë eurot dhe rritja do të jetë 20%. Numra të rëndësishëm që vijnë falë punës së Alesandro Antonelos dhe stafit të tij. Por nuk janë vetëm këta numrat që bëjnë të lumtur drejtuesit e Interit.

STADIUMI- Interi është duke çuar përpara projektin për të ndërtuar stadiumin e tij në Rozano dhe po sheh seriozisht mundësinë për të bërë ndërhyrje në “Meazza”.

Kuota 70 mijë tifozë ka qenë gjithmonë e tejkaluar në të gjitha ndeshjet e luajtura në Serinë A nga Interi në shtëpi dhe është mesatarja më e lartë e kampionatit. Interi mund të fitojë 75 milionë euro nga biletat. Duke llogaritur të njëjtin numër ndeshjes rritja është me 12 milionë euro (+15%). Stadiumi ka qenë një mundësi e mirë ku sponsorët e Interit kanë dhuruar spektakël përpara ndeshjeve.

RRJETET SOCIALE- Në nivel global, Interi është duke u rritur edhe me numrin e tifozëve që e mbështesin. Sipas “Nielsen Fan” tifozët e Interit janë 450 milionë nëpër botë dhe rritja ka qenë +14% në krahasim me vitin 2020.

Rekordi historik me 154 mijë tifozë zyrtarë u thye menjëherë me 200 mijë tifozë në këtë sezon. Interi ka mbi 200 “fan club”-e në 8 vende dhe 5 kontinente dhe është mes skuadrave më të mira të Europës për këtë aspekt. Për më tepër janë 18 akademi të hapura në vende të ndryshme.

Rrjetet sociale kanë qenë një pikë e fortë për zikaltrit në sezonet e fundit. “Inter Media House” ka regjistruar numra rekord dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë tifozëve. Në total janë 71 milionë ndjekës, më shumë sesa në sezonin e kaluar.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"