Mihal Thano, 19-vjeçari jep garanci për portën
Mihal Thano, portieri 19-vjeçar i Luftëtarit, i aktivizuar si titullar në javët e fundit, pritet që të jetë pjesë e grupit edhe në të ardhmen. I ardhur në merkaton e verës nga PAS Janina, së bashku me Selimajn dhe Isarain kanë “luftuar” për një vend titullari. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai shprehet i lumtur për paraqitjen e tij si titullar, por komenton edhe të ardhmen. “Në Krujë na u desh të përballonim një kundërshtar që luante mirë si në sulm, edhe në mbrojtje. Nëse nuk pësuam më shumë se një gol, kjo është meritë e të gjithë lojtarëve që u aktivizuan, veçanërisht mbrojtjes. Për Luftëtarin do të jap maksimumin, duke filluar nga takimi i radhës, ai me Tomorin. Përballë berataseve do të demonstrojmë shpirt gare dhe sakrifice, pasi nuk duhet të zhgënjejmë, në të kundërt do të humbnim besimin e tifozerisë. Kur kanë mbetur edhe tri javë nga mbyllja e krejt sezonit, ne jemi të dënuar të marrim 9 pikët. Nuk do të jetë e lehtë, por as e vështirë. Ne nuk kemi çfarë të humbasim, ndaj le të zbresim në fushë dhe të kërkojmë më të mirën”, – tha Thano, të cilit pas përballjes me Bylisin iu besua katërkëndori, besim i përligjur më së miri, përpos golave që mund të jenë pësuar. Ndërkaq, Luftëtari dje ka nisur përgatitjet anti-Tomor, një takim që në pamje të parë duket se vlen për statistikë. Skuadra në sfidën e së shtunës vjen e kompletuar, pasi rikthehen Nikoliç e Stoja. Lojtarët kanë ezauruar dënimin e kartonëve të verdhë, ndaj kundër beratasve do të jenë në fushë.
Tomorr Shehu