Memelli: Ju tregoj se pse më përjashtuan nga Partizani…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2014 | 14:00

Memelli: Ju tregoj se pse më përjashtuan nga Partizani…

kryesoreMigen Memelli nuk ka një arsye të qartë se përse është përjashtuar nga klubi i Partizanit. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, sulmuesi sqaron gjithçka ka ndodhur me të një ditë më parë. Flet në lidhje me arsyen që ai mendon se ka ndikuar në vendimin e drejtuesve të klubit për ta larguar nga skuadra. “Penalltia mendoj se është arsyeja që më kanë përjashtuar”, – thotë ndër të tjera Memelli në prononcimin e tij. Gjithashtu, ai zbulon se vendimi i është komunikuar nga drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Eduard Prodani. Nga ana tjetër, situata është paksa enigmatike. Fillimisht, klubi njoftoi në mesditë se Memelli nuk ishte më pjesë e ekipit, por pa dhënë arsye. Ndërsa pasdite, i pyetur sërish për këtë çështje, duke qenë se në njoftimin zyrtar ishte hequr fjalia ku flitej për Memellin, zëdhënësi i të kuqve, Olsi Ranxhi, u shpreh: “Për momentin klubi nuk ka një koment për këtë çështje”.
Memelli Fillimisht, sulmuesi nuk dëshiron të flasë shumë dhe e nis reagimin e tij me një fjali: “Kërkoji klubit çdo gjë që do të dish”. Dhe në momentin kur sqarohet se klubi nuk ka dhënë asnjë arsye, Memelli vazhdon më tej me atë që mendon që i ka shtyrë drejtuesit të marrin këtë vendim ekstrem. “Kur nuk jep klubi arsye, atëherë si duhet ta di unë(!) Çfarë versioni të jap unë kur nuk kam. Nuk kam një arsye, por mendoj që është penalltia e humbur ndaj Skënderbeut. Mendoj unë personalisht”, shprehet 34-vjeçari. Memelli vazhdon më tej duke ironizuar me arsyen e këtij përjashtimi. “Gjithsesi, falënderoj njerëzit e klubit që më kanë vlerësuar më shumë sesa këta lojtarë: Mishel Platini (Kampionati Botëror 1986), ka humbur penallti, Roberto Baxhio (Kampionati Botëror 1994) ka humbur penallti, Maradona (Kampionati Botëror 1990) ka humbur po ashtu penallti, Xhon Terry (Finale e Ligës së Kampioneve 2008), Françesko Toti (Roma- Leçe, 2007), David Bekam (Kampionati Europian 2004), Mesi, Runi, Ronaldo, etj, etj. që kanë humbur penallti”. Sulmuesi zbulon edhe drejtuesin që i ka komunikuar largimin. “Eduard Prodani ma ka komunikuar vendimin. Ata vetë i marrin vendimet, unë deklaroj atë çfarë dyshoj se i ka shtyrë të më largojnë”, – përfundon reagimin e tij për “Panorama Sport” Migen Memelli.
Ecuria Sulmuesi u bë pjesë e skuadrës së kuqe gjatë merkatos së janarit. Ai ra dakord me presidentin Gaz Demi që të luante me Partizanin deri në fund të këtij sezoni dhe ishte një prej futbollistëve me të cilët klubi mund të nënshkruante një kontratë të re për sezonin tjetër. Gjatë kësaj periudhe, Memelli ka luajtur në 11 ndeshje dhe ka shënuar gjashtë gola duke u aktivizuar për 955 minuta. Lojtari pogradecar ka qenë deciziv në disa takime dhe ka shënuar gola të rëndësishëm duke i dhënë shumë pikë skuadrës. Ai debutoi me të kuqtë në mënyrën më të mirë të mundshme duke shënuar dopietë. Tashmë, gjërat kanë ndryshuar shumë në krahasim me fundin e janarit, kur Memelli u afrua te “demat” me shumë bujë dhe u konsiderua si lojtari i duhur për këtë ekip. Futbollisti u afrua te “demat” pasi prishi kontratën me Al Faisalin në Arabinë Saudite.

Kronologjia e përjashtimit të Migen Memellit
6 MAJ Në orët e vona të mbrëmjes, sulmuesi i Partizanit Migen Memelli merr një telefonatë nga drejtori i Përgjithshëm i klubit, Eduard Prodani, i cili i komunikon vendimin për përjashtimin përfundimtar nga skuadra.
7 MAJ, ORA 10:00 Memelli nuk paraqitet në stërvitje, në një kohë që zëdhënësi për shtyp i skuadrës, Ranxhi, bën të ditur se do të ketë njoftim zyrtar në faqen e klubit në internet në lidhje me këtë çështje.
7 MAJ, ORA 15:00 Në njoftimin zyrtar të klubit në faqen e internetit, ku bëhet një përshkrim i stërvitjes së paradites së skuadrës, ndër të tjera kishte edhe një fjali ku shkruhej: “Migen Memelli nuk është më pjesë e Partizanit”.
7 MAJ, ORA 15:30 Gazeta kontakton me zëdhënësin e klubit për t’i kërkuar një arsye në lidhje me këtë vendim, por Ranxhi përgjigjet: “Për momentin nuk ka asnjë arsye se pse Memelli nuk është më pjesë e skuadrës”.
7 MAJ, ORA 16:00 Në njoftimin e mëparshëm të klubit në faqen e internetit hiqet vetëm fjalia ku bëhej e ditur se Memelli nuk ishte më pjesë e Partizanit.
7 MAJ, ORA 19:00 I pyetur në lidhje me faktin që fjalia ku bëhej i ditur përjashtimi i sulmuesit nuk ekzistonte më në njoftimin e klubit, zëdhënësi Ranxhi përgjigjet: “Për momentin, klubi nuk ka asnjë koment në lidhje me këtë çështje”.

Partizani interesohet për Bjelkanoviç
Kur ka mbetur edhe një ndeshje nga fundi i kampionatit, duket se Partizani po mendon që tani për afrimet e merkatos së verës. Një prej futbollistëve që pëlqehet nga drejtuesit e kuq është mbrojtësi kroat Boris Bjelkanoviç. Futbollisti shtatlartë, i cili është pjesë e Lushnjës, është një prej të preferuarve të Partizanit dhe bëhet e ditur se mund të hyhet në bisedime për të mundësuar afrimin e tij. Bjelkanoviç ka bërë paraqitje shumë të mira me skuadrën lushnjare, por duke qenë se është i dëmtuar, ai nuk do të mund të luajë në sfidën e fundjavës ndaj Partizanit. Gjatë këtij sezoni, qendërmbrojtësi ka luajtur 15 ndeshje dhe ka shënuar një gol duke u aktivizuar për 1193 minuta. Pritet që të kuqtë të hyjnë fuqishëm në merkaton e verës për të afruar futbollistë cilësorë, që të krijojnë një ekip më të fortë se ky i tanishmi.

Skuadra nis përgatitjet e përgjysmuar
Skuadra e kuqe ka nisur dje paradite përgatitjet për transfertën e Lushnjës, e cila është edhe përballja e fundit e këtij sezoni futbollistik. Në orën 10:00, ekipi ka zhvilluar seancën stërvitore në kompleksin sportiv “Olimpik” në Yrshek. Nën drejtimin e trajnerit Genc Tomori dhe stafit teknik, grupi jo i plotë i lojtarëve i është nënshtruar programit të përcaktuar stërvitor. Si pasojë e një gjendjeje të lehtë gripale, me ekipin nuk janë përgatitur portierët Alban Hoxha dhe Sulejman Hoxha, si dhe mbrojtësi Gëzim Krasniqi, që vazhdon të ndjejë shqetësime muskulare. Në stërvitjen e djeshme kanë munguar edhe mbrojtësit Amir Rrahmani dhe Mevlan Murati për shkak të impenjimit me përfaqësuesen Shpresa. Ndërsa Oshobe Oladele i është bashkuar përfaqësueses së tij, Beninit.
BESAR BOZGO

Spaho, portieri i LushnjesSpaho: Na quajtën “lepuj”, të shtunën u tregojmë kush jemi!
Lushnja përgatit hakmarrjen ndaj Partizanit. Pas 12 ndeshjesh pa fitore (pa përfshirë këtu trepikëshin në tavolinë me Bylisin), verdhejeshilët do të luajnë të karikuar ndaj të kuqve për ta mbyllur me dinjitet këtë kampionat. Portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, shprehet për “Panorama Sport” se ndeshja me Partizanin do të jetë një sfidë karakteri. “Jemi të vetëdijshëm që ndeshja nuk vlen për ne sa i përket renditjes. Kjo ndeshje më shumë i shërben Partizanit, por, për ekipin tonë do të jetë një sfidë karakteri. E vlerësoj kështu, sepse në Tiranë na thanë “lepuj” dhe të shtunën Partizani do të provojë se çfarë jemi ne”, – deklaroi dje portieri 32-vjeçar i verdhejeshilëve. Ndërkohë, takimi po pritet me interes edhe nga tifozët lushnjarë, të cilët gjatë viteve të fundit janë konfliktuar jo pak me ultrasit e kuq.
Stërvitja – Lushnja u stërvit dje në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”. Lojtarët që do të luajnë ndaj Partizanit duken në formë të mirë. Kjo mund të thuhet edhe për kapitenin e skuadrës, Gentian Çela, që pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes me Teutën, të mërkurën e kaluar. Mungesat e konfirmuara janë ato të sulmuesit brazilian Kate Fonseka dhe mbrojtësit Boris Bjelkanoviç, që kanë dëmtime të gjata dhe duan shumë kohë të rikuperohen. Trajneri Bano ka paralajmëruar se do të luajë me formacionin më të mirë ndaj Partizanit dhe synimi është për një rezultat pozitiv.

Statistikat
Nga një fitore për secilin ekip gjatë këtij edicioni. Në fazën e parë fitonte Lushnja 2-0, ndaj Partizanit në “Roza Haxhiu”, pas golave të Trashit dhe Koreshit. Në fazën e dytë të njëjtat shifra shkojnë në favor të Partizanit, pas dopietës së Memellit. Të shtunën luhet mes tyre ndeshja e tretë në “Roza Haxhiu”, që koincidon me javën e fundit të kampionatit. Lushnja ka zbritur automatikisht nga Superiorja dhe tashmë luan pa objektiva.
Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"