Mesfushori i Apolonisë: Të etur për pikë, përqëndrimi është tek objektivi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 11:45

Mesfushori i Apolonisë: Të etur për pikë, përqëndrimi është tek objektivi

Apolonia do të presë sot në orën 14:00 Tomorin, një ndeshje që për të dy ekipet duhet fituar me çdo kusht për të realizuar qëllimet. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Yasin Umar Rajab shprehet se Apolonia do të rikthehet te fitorja përballë Tomorit. Mesfushori pohoi se ndërprerja shërbeu për t’u përgatitur më mirë për pjesën e mbetur.apolonia

Sa ju ka shërbyer kjo ndërprerje për pjesën e mbetur të sezonit?

Ndërprerja e kampionatit erdhi në momentin kur kishim shumë nevojë për të rigjeneruar energjitë. Gjatë kësaj periudhe, bashkë me trajnerin, kemi analizuar gabimet e bëra, me qëllim që të jemi më të qartë në vazhdim. Jemi munduar të punojmë intensivisht për të qenë më solid.

Prisni Tomorin në “Loni Papuçiu”, çfarë synoni nga ky takim?

Është një nga 8 finalet e mbetura dhe jemi munduar këto ditë që të punojmë fort. E dimë se na pret një përballje e vështirë, por do të luajmë vetëm për tri pikët. Ka ardhur momenti të rikthehemi te fitorja dhe këtë do ta kërkojmë sot ndaj Tomorit. Ekipi gëzon formë të mirë dhe ky është një motiv që të marrim vetëm maksimumin në çdo takim.

Fakti që ndeshen dy skuadra me objektiva të kundërt, e bën edhe më të vështirë këtë takim?

Nisur edhe nga objektivat e kundërt, e sigurt është që do të jetë një sfidë e luftuar, pasi mbizotëron “uria” për pikë. Tomori meriton respekt e vlerësim. Është nga ato ndeshje që kërkon kujdes maksimal dhe shpirt gare për ta fituar. Jemi përgatitur maksimalisht gjatë këtyre ditëve, pasi për ne objektiv është vetëm fitorja.

Sa shanse ka Apolonia që të ruajë vendin në “play off”?

Kur mbeten edhe 8 ndeshje, besoj se “play off”-i është një objektiv i arritshëm për ne. Do të ishim më të lumtur nëse do të bënim pjesë në katër ekipet më të mira. Apolonia është e bashkuar dhe jam i bindur që në fund do të jemi më lart. Jemi të përqendruar tek objektivi ynë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"