Mesfushori i Apolonisë s’e diskuton “play off”-in, sheh një skuadër në rritje: Mos na nënvlerësoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 13:15

Mesfushori i Apolonisë s’e diskuton “play off”-in, sheh një skuadër në rritje: Mos na nënvlerësoni

Rubin Hebeja nuk e diskuton “play off”-in. E pranon se Apolonia ka pasur luhatje gjatë pjesës së parë të sezonit, por mendon se objektivi do të realizohet. Gjatë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori vlerëson minifazën që po kryhet. Edhe pse trajneri Jeraj Rodriges dha dorëheqjen, ai evidenton se Mariglen Kule po ua bën gjithçka më të lehtë.

HEBEJA RUBIN

Si po shkon minifaza dhe si e vlerësoni gjendjen e grupit?

Me bindje të plotë mund të them se minifaza po shkon shumë mirë në çdo drejtim. Kemi marrë ngarkesën e duhur fizike, ndonjëherë edhe me dy seanca në ditë. Lajm shumë i mirë është rikthimi i disa lojtarëve titullarë të dëmtuar dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.

Trajneri dha dorëheqje, por Apolonia e nisi mirë ciklin e miqësoreve. Sa ju vlejti fitorja me Bylisin?

Na vlejti për të parë gjendjen tonë fizike pas pushimeve, por edhe për t’u perfeksionuar në aspektin tekniko-taktik. Rezultati është në plan të dytë, pasi rëndësi ka loja e zhvilluar dhe për mendimin tim ishte në nivelin e duhur. Ndonëse kjo fitore mund të përkthehet edhe si shenjë “reaguese” për të vërtetuar që Apolonia është në rrugën e duhur dhe më gati se kurrë për rifillimin e garës.

Gjetët edhe rrugën e rrjetës, por çfarë prisni në vijim?

Shpresoj të jetë fatsjellës për pjesën e mbetur të sezonit. E bëra “sefte” dhe kjo ka rëndësinë e vet, por edhe më shtyn më shumë të provoj nga distanca.

Si vlerësoni ecurinë e fierakëve deri tani?

Ecuri pozitive, edhe sepse Apolonia është brenda pritshmërive të fillimit të sezonit. Mirëpo, kemi vuajtur shumë në katër ndeshjet e fundit dhe mund të them, se edhe fatin e kemi pasur kundër. Mendoj se nuk kemi marrë atë që kemi treguar në fushë, pasi ka pasur momente kur jemi penalizuar. Gjithsesi, tashmë këto janë pjesë e së kaluarës, ndaj nuk do të mendojmë shumë për to.

Jeni aktualisht në vendin e 5-të, pra një vend i sigurt në fazën “play off”. Si është më e arritshme Superiorja?

Për sa kohë matematika lejon gjithçka, atëherë jemi shumë herët për të dhënë verdikte se ku mund të arrijmë. Tani nis faza e ndeshjeve më të vështira të kampionatit. Na presin ndeshje të vështira, por unë mendoj që do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, në një mënyrë a tjetër pasi kemi shumë ndeshje përpara.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"