Mesfushori i Apolonisë: Flamurtari të motivon, një tripikësh për… “presion”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2024 | 10:56

Mesfushori i Apolonisë: Flamurtari të motivon, një tripikësh për… “presion”

Apolonia pret sot në orën 13:30 në stadiumin “Loni Papuçiu”, Flamurtarin e Vlorës. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori Mateo Shanaj e quan të vështirë këtë përballje me vlonjatët, por thekson se Apolonia është më shumë se gati për t’u bërë ballë sfidave të reja.

apolonia

“Ne u munduam që të bënim më të mirën e mundshme për të kapur formën e duhur fizike dhe për të qenë gati për këtë ndeshje, sa të rëndësishme, aq edhe të vështirë me Flamurtarin. Na duhet përqendrim maksimal nga minuta e parë e deri në fund. Ka për të qenë një ndeshje shumë e vështirë dhe mendoj se këto përballje rivalësh kokë më kokë të “ingranojnë” edhe më shumë, por edhe të japin gjithë mundësinë për të dhënë më shumë nga vetja jote, ndonjëherë edhe ta tejkalosh vetveten. Japim më të mirën, për të marrë më të mirën”, thotë fillimisht ai.

PËRBALLJA- “Do të jetë padyshim një ndeshje e vështirë, mirëpo jemi më shumë se gati për t’u bërë ballë sfidave të reja dhe të vështira që na presin. E para është kjo me Flamurtarin, por me siguri nuk do të jetë e fundit. Jemi të vetëdijshëm që tani kemi përballë një kundërshtar serioz, por nga ana tjetër, ne luajmë në shtëpi dhe do të japim gjithçka që të fitojmë. Flamurtari është rivali ynë dhe ne duhet që me këtë fitore, pikësëpari të ngushtojmë diferencën me vetëm 1 pikë, por edhe t’u ushtrojmë presion të vazhdueshëm rivalëve të tjerë më lart”.

PRESIONI- “Skuadra nuk ka asnjë lloj presioni, madje mendoj se presioni më i lartë është te kundërshtari. Neve na mbetet të bëjmë thjesht dhe vetëm detyrën e shtëpisë, e cila është fitorja dhe marrja e tri pikëve. Luajmë në stadiumin tonë në Fier dhe përballë tifozëve tanë që janë të shumtë në numër, të cilët me mbështetjen e tyre të zjarrtë na japin gjithmonë zemër. Tri pikët e mundshme ndaj vlonjatëve të japin një “shtysë” edhe më të madhe, veçanërisht nga ana morale”, përfundoi Shanaj.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"