Merkato e dështuar, ja kush ikën që në janar. Tifozët e Tiranës: Të ikin drejtuesit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2013 | 13:15

Merkato e dështuar, ja kush ikën që në janar. Tifozët e Tiranës: Të ikin drejtuesit

Partizani-Tirana 1-0, tifozet e Tiranes me koreografine e tyreVashaku, Kaja, Peqini, Vrapi, Çaço, Çaushaj, Semedo, Glori Hoxha, Kastrati, Kërçiku, Kurti, Gerc, Jovanoviç dhe Sorra. Janë të gjithë lojtarë të afruar te Tirana gjatë merkatos së verës, por gati gjysma e tyre aktualisht janë me bagazhe në dorë, drejt largimit nga kjo skuadër. Madje, një pjesë e tyre kanë ikur prej disa javësh nga klubi, duke prishur edhe formalisht kontratat e lidhura në ditët e fundit të muajit gusht. Është pikërisht ky problemi i Tiranës, duke qenë se organika është kaq e dobët, sa një pjesë e mirë e lojtarëve kanë zhgënjyer totalisht në 11 javë kampionat. Në këtë këndvështrim, por nisur edhe nga sa kanë deklaruar donatorët e klubit në media, në janar pritet që te Tirana të ketë spastrime. Emra si Jose Semedo, Vedran Gerc, Milan Jovanoviç, por edhe Ervis Kaja, Ilirjan Çaushaj, Glori Hoxha dhe Ilir Kastrati rrezikojnë seriozisht që ta mbyllin aventurën e tyre ende pa përfunduar sezoni. Sakaq, të larguar përfundimisht nga skuadra janë lojtarë si Bledar Vashaku, Jurgen Mumajezi dhe Ergys Çaço. Me të tre këta të fundit, sipas informacioneve, klubi ka ndërprerë kontratat dhe natyrisht edhe marrëdhëniet financiare. Si për të përforcuar këtë fakt, mjafton të kujtojmë që në ndeshjet e fundit, një nga donatorët e skuadrës, Ndriçim Babasi, i ka paralajmëruar disa herë lojtarët (në përgjithësi) se, kush dështon në këto ndeshje, do të largohet në janar nga bardheblutë. Nga ana tjetër, fakti se vetëm javën e shkuar drejtuesit afruan rreth 6 lojtarë të rinj, nga skuadra U-19, si dhe piketimi nga ana e donatorëve të disa futbollistëve me eksperiencë në Superiore, të bën të besosh se janari do jetë një “muaj sulmi” për klubin e Tiranës. Sakaq, si rrallëherë në këto vite (madje dekada), Tirana nuk ka pasur një formacion stabël, aq sa në çdo ndeshje janë vërejtur ndryshime gati rrënjësore. Ish-trajneri Nevil Dede, por edhe aktuali Alpin Gallo kanë aktivizuar, të paktën një minutë, plot 28 lojtarë në 11 ndeshje, duke treguar në një farë mënyre pasigurinë e tyre në përzgjedhjen e skuadrës titullare. Kjo natyrisht ka ndikuar edhe në rezultatet e skuadrës, duke qenë se ndryshimet e shumta bënë që lojtarët të mos ambientoheshin dot me njëri-tjetrin.

“Gallo qëndron, analizë situatës”
Trajneri i Tiranës, Alpin Gallo, do vijojë ta drejtojë skuadrën edhe pas humbjes me Kukësin (e treta radhazi në kampionat). Një gjë e tillë konfirmohet nga një prej donatorëve të klubit bardheblu, Ndriçim Babasi, i cili ka konfirmuar se tekniku do qëndrojë në drejtim të ekipit. “Përderisa nuk kemi një trajner tjetër, nuk ka arsye që të mendojmë për të shkarkuar Gallon. Skuadra po shkon nga humbja në humbje, por pikërisht për këtë arsye kemi analizuar edhe gjithë situatën me administratorin e klubit dhe trajnerin. Le të shpresojmë që gjërat do ndryshojnë në javët në vazhdim”, – ka theksuar Babasi. Dje në mbrëmje të tre drejtuesit kanë diskutuar në lidhje me gjendjen e skuadrës dhe vendimet e fundit të marra nga ana e trajnerit.

Tifozët të revoltuar: Të ikin drejtuesit!
Pas rezultateve të dobëta dhe renditjes në fund të skuadrës, pas humbjes në Kukës, grupimi i tifozëve “Fanatics” kanë reaguar fuqishëm, duke kërkuar më së pari largimin e drejtuesve të klubit, duke filluar që nga administratori Krenar Alimehmeti. Ja reagimi i plotë i tifozëve bardheblu. “Duhej të preknim fundin, për të kuptuar se premtimet ishin mashtrime. Paaftësia dhe dashakeqësia ka dëmtuar Tironën e tani shohim se nesër nuk do të jetë si dje. Është momenti që nga i pari tek i fundit të dorëzoni çelësat e uniformat dhe të shkoni në shtëpi. Nuk jeni për Tironën dhe nuk e meritoni këtë klub. Nga i pari tek i fundit pa përjashtuar askënd. Premtuat Tironën Europiane për të na degdisur të fundit, në një realitet që ne nuk e kemi njohur për afro një shekull. Tirona nuk ka nevojë për premtime, buzëqeshje dhe fjalë boshe. Hiqni dorë dhe mos dëmtoni më një nga vlerat më të mëdha që ka kryeqyteti dhe jo vetëm. Zoti administrator i klubit, zoti Alimehmeti. Faleminderit për gjithçka ke dhënë si lojtar në fushë, por me Tironën e zyrave nuk mundesh të bësh më asgjë, pasi në nëntë muaj prishe dhe dëmtove atë që gjete. Dorëzo detyrën dhe largohu. Zotërinj të nderuar të bordit drejtues, ikona bardheblu: Zoti Fortuzi, zoti Mema, por dhe të tjerët që premtuan më pak se ju e për pasojë mashtruan më pak. Nuk keni si të largoheni, pasi jeni larguar tashmë, por tani ju duhet të kërkoni falje publike për gjithçka që thatë e shkelët. Zotërinj sponsorë, zoti Babasi, zoti Halili e zoti Morina. Faleminderit për kontributin tuaj, pasi po e bëni atë që keni marrë përsipër, por për Tironën kuptojmë se nuk është kjo zgjidhja. Të nderuar punonjës militantë të klubit. Është momenti të hiqni dorë nga rroga mujore, pasi nuk keni të drejtë të paguheni për paaftësinë tuaj. Në fund, po jo për nga rëndësia, një kërkesë edhe për 25 futbollistët e Tironës. Dorëzoni fanellat përpara se t’ua marrim ne ato. Një kërkesë edhe për ish-trajnerin Dede, apo edhe atë që ka marrë përsipër ta zëvendësojë, zotin Gallo. Largohuni, duke kërkuar falje për dëmin sportiv dhe moral që i keni bërë Tironës. Nis sot, për të vazhduar deri në gjetjen e një zgjidhje, reagimi si reaksion i natyrshëm për dëmet që ju keni bërë në pak kohë. Tirona na përket dhe Tirona jemi ne. Të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë situatë të turpshme do të marrin faturën. Ne kurrë nuk dorëzohemi. Gjithmonë me kokën lart”.

Statistikat, kjo Tirana më e dobët në histori
Tirana ka pasur ulje-ngritje edhe më përpara, por thuajse asnjëherë nuk ka qenë në nivelin e një skuadre që nuk di të marrë qoftë edhe një pikë në transfertë. Referuar statistikave, Tirana ka bërë një sezon të dobët në 1933-in, ku e mbylli e treta nga fundi (kampionat me 8 skuadra); në 1950-ën, ku pas 11 javësh kishte pas vetëm Apoloninë dhe Pogradecin; në 1972-13 dhe 1793-74, ku nga bardheblutë ishin larguar shumë lojtarë dhe në fund ekipi i mbylli sezonet, respektivisht në vend të 11-të dhe 14- të, si dhe në 1993-in, ku pas 11 javësh skuadra kishte 12 pikë. Gjithsesi, duhet thënë se në asnjë rast nga sa më lart klubi nuk ka vuajtur kaq shumë sikundër tani, kjo edhe për faktin se në 11 javë kampionat, nuk mbahet mend qoftë edhe një ndeshje e fituar, ku Tirana të ketë dominuar totalisht. Zero barazime, zero fitore dhe vetëm 1 gol i shënuar në transfertë është një tregues që nuk ka lidhje fare me historinë e Tiranës.

Tirana, ngjashmëria me Partizanin e Dinamon
Ka shumë të dhëna që të çojnë në një konkluzion të frikshëm dhe natyrisht të padëshiruar jo vetëm për tifozin e Tiranës, por për futbollin në përgjithësi, fakti se bardheblutë janë në “trasenë” e Partizanit të 2008-2009 dhe Dinamos së 2011-2012, kur këto skuadra ranë një kategori më poshtë. Kështu që të dyja rivalet e përjetshme të Tiranës, në sezonet kur ranë një kategori më poshtë, u ndërtuan si skuadra në ditën e fundit të merkatos, ashtu sikundër Tirana e këtij sezoni. Faza e parë ka qenë më shumë se zhgënjyese, aq sa Partizani i 2008-2009, pas 11 javësh kishte vetëm 4 barazime dhe 7 humbje, ndërsa Dinamo i 2011-2012, në 11 javë kishte tri barazime dhe 8 humbje. Është diçka më mirë Tirana pas 11 javësh (3 fitore, 1 barazim dhe 7 humbje), por gjithsesi që të tria skuadrat renditen në vendin e fundit. Ngjashmëri tjetër është fakti se si Partizani e Dinamo më parë edhe Tirana sot janë skuadra shumë të brishta në transfertë, çka duket qartë nga rezultatet: zero fitore dhe zero barazime jashtë kryeqytetit. Dhe në fund, nuk duhet harruar se Partizani dhe Dinamo ranë një kategori më poshtë….
LEONARD KARAJ






www.minuta90.com