Merkato cilësore, Saliaj premton “super-Dinamo”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2012 | 13:28

Merkato cilësore, Saliaj premton “super-Dinamo”

Blutë e kryeqytetit renditen me 14 pikë, në vendin e 9-të në tabelën e klasifikimit, por duke parë vendet kryesuese, Dinamo është vetëm 10 pikë larg vendit të parë që mbahet aktualisht nga Lushnja dhe 6 pikë larg të dytit, që mbahet nga Tërbuni. Gjithçka duket e rekuperueshme nga java në javë dhe blutë i kanë të gjitha mundësitë për t’u rreshtuar në dy vendet e para në përfundim të kampionatit. Megjithatë, mbeten edhe katër javë deri në përfundim të fazës së parë dhe dinamovitët kanë dy ndeshje në transfertë dhe dy në Tiranë. Të gjithë po mendojnë që të marrin maksimumin deri në javën e fundit. Por duke pasur parasysh që sfidat e ardhshme janë me ekipe kryesuese dhe të forta, si Besëlidhja, Iliria, Burreli dhe Pogradeci, blutë nuk i mendojnë hapat falsë. Në lidhje me këtë administratori Ismet Saliaj shprehet: “Jam i bindur se deri më sot Dinamo ka ecur mjaft mirë, por duke parë ndeshjet, kemi gabuar në disa takime decizive dhe kemi humbur terren si në dy ndeshjet e fundit, apo si ajo me Partizanin apo të tjera. E thënë në mënyrë të përgjithësuar, ne jemi në një nivel me ekipet kryesuese, por për këto javë që na kanë mbetur nuk duhet të lëshojmë terren dhe të gabojmë. Tani duhet të shohim përpara, pasi kemi mundësi për më mirë. Megjithatë, me mbylljen e kësaj faze, ekipi do të hyjë në merkato të thellë dhe do të afrojë elementë cilësorë, të cilët do të ngrenë ekipin atje ku e meriton. Trajneri Dritan Mehmeti dhe drejtori teknik, Artan Mërgjyshi, po e përgatisin ekipin mjaft mirë, prandaj kam besim se do të ndërtojnë një skuadër cilësorë gjatë merkatos”, përfundon Saliaj.
Erjon Hamitaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"