Memushi bën “pas”: Flamurtari ngjitet, meritë e Troisit!“Që skuadra të jetë ‘top’, duhet të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2022 | 22:45

Memushi bën “pas”: Flamurtari ngjitet, meritë e Troisit!“Që skuadra të jetë ‘top’, duhet të…

Flamurtari bindi edhe më skeptikun. Me ecurinë fantastike në këto 10 javë, Eqerem Memushi bën “pas”. E thotë me bindje se vlonjatët do të ngjiten në elitë.

eqerem memushi

Në një intervistë për “Panorama Sport”, thotë se meritë totale ka stafi teknik dhe lojtarët brazilianë. Ish-trajneri shikon si rivalë të kuqezinjve Dinamon, por pas nuk lë as Korabin, ndërsa Skënderbeun e sheh shumë larg pretendimeve. Analizon edhe Orikun, që mendon se ka oshilacione të mëdha.

Nuk ishit shumë optimist në fillim për këtë Flamurtar. A ka ndryshuar tani mendim Memushi?

Ashtu si filloi stërvitja dhe u organizua ekipi apo edhe rezultatet e dy ndeshjet e para, vetvetiu do të ishim skeptikë. Me ndryshimin e stafit teknik dhe drejtuesve, mendoj se ky Flamurtar është i denjë për Superiore. Duke parë rezultatet, na lind e drejta që ta themi edhe këtë që trajneri e ka sjellë ndryshimin. Deri tani po tregon vlerat e një skuadre që e meriton të jetë në atë vend ku është.

Duket se lojtarët brazilianë që erdhën te Flamurtari e kanë marrë “për dore” skuadrën. Ndani të njëjtin mendim?

Po e bëjnë edhe diferencën. Për të ardhmen, nuk mund të jap ndonjë mendim. Superiorja është tjetër kampionat, me të tjera vlera. Këtë e them se e njoh mirë Kategorinë e Parë…

Po lojën e kësaj skuadre si e keni parë?

Të mira, përveç asaj me Burrelin. Unë i kam ndjekur thuajse të gjitha ndeshjet që kanë zhvilluar. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Matajnëve nuk u dhanë një vlerësim maksimal, ndaj le t’u bëhet mësim. Ishte një trepikësh i rëndësishëm, gjithsesi.

Faza e dytë do të ketë vështirësitë e veta. A diskutohet ngjitja?

Është luajtur dhe java e 10- të dhe është gati 80% e kampionatit. I kemi parë skuadrat se cilat janë. Tjetër ishin në fillim të sezonit që nga Luzi e Turbina që pretendonin dhe tjetër shfaqen në fushë. Por Flamurtari bën diferencën.

Kë shikoni rivalë të kuqezinjve?

Dinamon po. Por për Skënderbeun e kam thënë që nuk më ngroh si skuadër, nuk më thotë gjë ajo skuadër që të ketë ndonjë kualitet për të shkuar në Superiore. Në garë mund të jetë edhe Korabi, duke parë mënyrën se si luajnë. Brenda fushës së tyre janë skuadra shumë të forta dhe që duhen vlerësuar maksimalisht.

Duhet të bëjë përforcime në janar Flamurtari?

Për të qenë skuadra “top”, në mënyrën më urgjente duhet të rregullojnë repartin e mbrojtjes. Nëse ne do të kemi një defensivë të fortë, atëherë mund t’i japim edhe një notë më të mirë. Nga mesfusha dhe sulmi jemi shumë të rrezikshëm. Por stafi e di ku i çalon, pasi janë “doktorët” për skuadrën tonë.

Duket se brazilianët janë në treg, ndërsa ka shfaqur interes Partizani, duhet t’i lënë të lirë?

Ju gazetarët jeni pak interesantë. Ata mund të jenë ndodhur aty edhe kot, çdo gjë për vaki… Për mua Flamurtari nuk duhet t’i lërë që të ikin këta lojtarë.

Po Orikun si e shikoni?

E shikoj me luhatje të mëdha. Kampionati është shumë i vështirë. Shikoje si janë zonat, vendi i fundit është 9 pikë dhe 11 është Oriku. Një ndeshje është larg. Mund ta shikojë veten në vend të tretë si Luzi, por edhe vend të fundit. Është skuadër që do të vuajë.

Qëndron Oriku në kategori?

Dëshira ime është shumë e madhe që të qëndrojë Oriku. Jo se unë e kam drejtuar, por është pjesë e zemrës sonë, skuadër e qytetit tonë. Nëse Flamurtari i madh do të shkojë në Superiore, që unë mendoj se po, pse mos ta kemi Orikun në Kategorinë e Parë. Është gjë e bukur.

Jeni një familje sportistësh, vajza juaj Tea, kapitene e basketbollit të femrave, djali futbollist, jeni i plotësuar?

Për çdo prind është gëzim ajo arritje e Teas që i uroj suksese me Flamurtarin dhe Kombëtaren. Muajin tjetër ka një ndeshje në Turqi. I uroj të fitojnë të gjithë trofetë me Flamurtarin. Shpresoj që edhe Petro të na marrë një rrugë të mirë, pasi edhe ai ka kualitet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"