Migen Memelli firmos për Partizanin, 6 muaj bëhet “dem i kuq”. Antanasijeviç nis provën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2014 | 12:56

Migen Memelli firmos për Partizanin, 6 muaj bëhet “dem i kuq”. Antanasijeviç nis provën

Memelli shtrengon duart me Gaz DeminMigen Memelli ka arritur akordin me Partizanin. Sulmuesi shqiptar, i rikthyer pas aventurës në Arabi me Al Faisalin, ku në 6 ndeshje që luajti nuk realizoi asnjë gol, ka pranuar të veshë fanellën e Partizanit për pjesën tjetër të sezonit. Mësohet se ai dje në mbrëmje ka nënshkruar një kontratë prej gjashtë muajsh me opsion rinovimi dhe do të paguhet rreth 3.5 milionë lekë në muaj. Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Teutës, Elbasanit, Tiranës dhe Flamurtarit pat deklaruar para disa ditësh për gazetën se nuk kishte pasur asnjë ofertë konkrete nga klubet e kryeqytetit. Për të pati zëra se mund të rikthehej te skuadra vlonjate, por largimi me polemika nga klubi i Flamurtarit bëri që tifozët të dalin menjëherë kundër. Gjithsesi, afrimi i Memellit mund të konsiderohet si një përforcim i rëndësishëm për “demat e kuq”, pasi është një lojtar që e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar dhe mund të bëjë diferencën në një ekip si Partizani, që në fazën e parë vuajti shumë në sulm.
Takimi – Për ditë me radhë, kryefjala e merkatos së skuadrave kryesore të Superiores ishte sulmuesi i Kombëtares, Hamdi Salihi, i cili ka si objektiv ndonjë klub europian, ndërsa Shqipëria mbetet opsioni i fundit. Por, prej disa ditësh, tani kryefjalë është bërë emri i një shkodrani tjetër kuqezi, mesfushori Gilman Lika. Ashtu si për të parin, edhe për Likën ka një interesim nga Partizani, i cili ka nisur që në merkaton e verës. Madje u tha se shkodrani, para se të shkonte në Arabinë Saudite tek Al Faisaili, kishte rënë dakord me drejtuesit e Partizanit se nëse do të luante në Shqipëri, do të zgjidhte ata. Duke parë se çështja “Gilman Lika” është marrë seriozisht edhe nga Tirana, ku donatori Refik Halili po merret personalisht me shkodranin që ta bindë, pritet që këtë fillimjavë presidenti Gaz Demi të zhvillojë një takim me lojtarin. Pritet që në këtë takim presidenti Demi ta bindë mesfushorin e Kombëtares shqiptare me ofertën e tij, në mënyrë që ai të veshë fanellën e kuqe dhe së bashku me ekipin të nisë betejën për fitimin e titullit kampion. Pritet që oferta e presidentit të Partizanit ndaj Gilman Likës të jetë më joshëse se ajo e Tiranës. Presidenti Gaz Demi pritet që të udhëtojë drejt Antalias për të parë miqësoren e fundit të Partizanit më 21 janar. Kështu që takimi me G. Likën pritet të ndodhë para udhëtimit të presidentit Demi drejt Turqisë. Me gjasa, sot ose nesër, palët pritet të takohen dhe mund të ndodhë që presidenti Demi të bëjë goditjen më të madhe të merkatos dimërore.

Të kuqtë të ndarë, pazar e relaks, përmirësohet Sali
Për shkak të ngarkesës së lartë stërvitore dhe miqësoreve të shumta, stafi vendosi që të dielën t’i linte pushim futbollistët. Një pjesë e lojtarëve dhe stafit kanë preferuar që të dilnin dhe të vizitonin Antalian, ku kanë bërë edhe ndonjë pazar të vogël. Ndonëse ishte ditë pushimi, lojtarët preferuan që në vizitën e tyre në qytet të mbanin kompletet sportive të skuadrës. Një pjesë e futbollistëve zgjodhën që të relaksoheshin në ambientet që u ofron resorti, ku ndonjëri preferoi që të rikuperonte orarin e gjumit. Ndërkaq gjendja e sulmuesit Ersen Sali, i cili ka pasur shqetësime shëndetësore ditët e fundit, mund të thuhet se nga dje ka qenë më mirë. Dje shqiptari nga Maqedonia ka punuar me përgatitësin portugez, duke kryer një seancë stërvitore në bregdet. Kroato-gjermani Romeo Filipoviç është shfaqur sërish te Partizani, por mësohet se mesfushori ndodhet aty vetëm sa për stërvitje, pasi nuk është në planet e të kuqve.

Antanasijeviç nis provën
Te Partizani, përpos tre kroatëve dhe Cianis, ka mbërritur dje edhe një mesfushor serb. Bëhet fjalë për 26-vjeçarin Dragan Antanasijeviç. Mesfushori shkatërrues ka dalë në stërvitje me “demat e kuq” dhe do të kryejë një provë disaditore, ku do të vëzhgohet nga stafi teknik. Futbollisti pritet të jetë një alternativë në rolin që ende ka mbetur i paplotësuar te Partizani, atë të mesfushorit fantazist. Është thënë që në fillim që blindimi i sulmit dhe gjetja e një fantazisti mbeten prioritet e merkatos dimërore të Partizanit. Katër miqësoret e zhvilluara kanë treguar se ka ende për të bërë.

Guerrilsat kujtojnë legjendën Panajot Pano
Katër vite më parë u nda nga jeta një nga futbollistët më të mirë të historisë së futbollit shqiptar dhe kryesisht të Partizanit, Panajot Pano. Tifogrupi “Ultas Guerrils” nuk ka si ta harrojë “mbretin” e futbollit, Pano, dhe kanë bërë një dedikim për atë: “U bënë plot 4 vite kur t’i shkove me brengën e një Partizani që po lëngonte në ditët më të zeza të historisë së vet. Shkove me fjalët: ‘Amanet Partizanin’. Ne u munduam dhe kurrë nuk u dorëzuam deri sa amanetin tënd e çuam në vend. E mbrojtëm ekipin legjendë, ku Ju ishit dhe jeni emblema historike. E morëm përdore e ringritëm aty ku i takon dhe tani me plot shpresë. Presim ditën që të shpallemi kampionë për ta dedikuar ty mbreti PANO!”.

Sulmi, po përsëritet skenari i verës
Në verë Partizani provoi 15 sulmues dhe në fund skuadra e nisi sezonin pa bomberat e vërtetë. Madje, në limitet e merkatos së verës u afruan disa sulmues të huaj, të cilët nuk ishin preferuar ditë më parë, pasi skuadra mbeti bosh në këtë repart. Ndonëse ka ende kohë që të mbyllet merkatoja dimërore, me atë që po ndodh te Partizani duket se po përsëritet skenari i verës. U tha se në janar do kërkohet të zgjidhet ngërçi që pati Partizani gjatë pjesës së parë të sezonit në finalizimin e aksioneve. Klubi ka afruar sulmues, por ka edhe disa të huaj në provë, që ende nuk kanë marrë përgjigje përfundimtare. Gjithsesi, problemi mbetet i njëjtë, Partizani nuk di të finalizojë edhe në miqësoret e dimrit.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"