“Më vjen keq që nuk keni shumë besim te të huajt”, Troisi: Idrizin e kam mik, ja pse nuk e sjell familjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2022 | 22:33

“Më vjen keq që nuk keni shumë besim te të huajt”, Troisi: Idrizin e kam mik, ja pse nuk e sjell familjen

Arkitekti i suksesit të deritashëm të Flamurtarit, sigurisht që është Marcelo Troisi. Por kush është trajneri brazilian i Flamurtarit?

TROISI

“Kam lindur në Santos, Brazil. Jam 46 vjeç. Kam filluar në Sanso Club, në një akademi dhe prej tij në një ekip profesional. Më pas në shumë ekipe në Brazil, në Greqi dhe këtu në Shqipëri. Jam i martuar dhe kam dy vajza e një djalë, por edhe një djalë tjetër nga një tjetër martesë në Brazil.

Bashkëshortja jeton në Greqi, është braziliane. Jam larguar shumë shpejt nga Brazili në një ekip në Greqi, para 20 vitesh. Kam punuar shumë me ekipe të ndryshme. Nuk e mendoj që familjen ta sjell në Vlorë tani. Vajza është e vogël akoma, ka shkollën në Greqi. Më mungon shumë familja. Vlora më pëlqen. Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Flamurtari është një ekip shumë i madh. Drejtuesit e klubit janë miqtë e mi.

Presidenti t’i krijon të gjitha mundësitë për të punuar. Nuk kam ndonjë hobi tjetër, mendoj vetëm për futbollin. Këtu kaloj shumë mirë, dalim për kafe kur jemi pushim. Kam shumë shoqëri këtu në Vlorë. Edin, shoferin, e kam mik. Me presidentin Idrizi kam shumë shoqëri. Jetoj bashkë në një apartament me zv.trajnerin. Kur kemi pushim, shikojmë ndeshjet dhe i analizojmë ato. Të martën pata një ditë pushim dhe pashë më shumë ndeshjet e Skënderbeut.

Objektivi ynë është Superiorja dhe duhet të punojmë më shumë. Kur erdha këtu, isha shumë i vendosur për të krijuar harmoni me ekipin. Kemi lojtarë brazilianë dhe shqiptarë, ndaj atmosfera është e rëndësishme. Lojtarët duhet të vijnë me gëzim dhe të qetë në skuadër. Punova më shumë nga ana psikologjike. Nuk ndryshova asgjë. Futbollistët ishin ata që ishin, por doli për mirë e gjithë kjo. Çdo ditë stërvitemi njësoj. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund. Kuptoj pak shqip. “Po studioj vetë, ditë për ditë” (e thotë shqip).

Kur vjen një trajner i huaj në Shqipëri, ndoshta shihet me skepticizëm, por me rezultatet e fundit duket se keni bindur. Keni një koment? “Unë habitem pak për këtë që disa njerëz këtu janë mosbesues ndaj trajnerëve të huaj. Unë kam shumë kohë që punoj në Shqipëri dhe me shumë shqiptarë këtu (qesh). Habitem pse mendojnë kështu. Unë kam punuar te Laçi, Kukësi, Skënderbeu, Partizani dhe mendoj se jam ambientuar në Shqipëri.

Nuk mendoj se jam i huaj për shqiptarët dhe vlonjatët. I respektoj të gjithë shqiptarët. Jam korrekt dhe dua që të tregoj filozofinë time këtu. Jam i bindur se të gjithë bashkë do të bëjmë mirë”. Pyetur nëse i ndjek zhvillimet politike në Brazil dhe se së fundi është zgjedhur edhe presidenti i ri, Troisi është shprehur duke qeshur: “Patjetër që e di. I ndjek zhvillimet aty, por nuk dua të komentoj për këtë pasi, nuk dua të futem në politikë”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"