Me Vanolin rrinte në stol, tani i jep “klas” lojës së bluve. Rrëfehet sulmuesi: Dinamo lufton për gjëra të mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 18:01

Me Vanolin rrinte në stol, tani i jep “klas” lojës së bluve. Rrëfehet sulmuesi: Dinamo lufton për gjëra të mëdha

Mjafton të shohësh pak minuta nga tribuna, për të dalluar dikë që bën diferencën në një ndeshje të Dinamos. Dikush me numrin “10” mbi shpinë, bie në sy për teknikën, shpejtësinë dhe veprimet e bukura me topin. Është braziliani Hose Denison Silva dos Santos, “top player”-i i bluve dhe autor i dy golave kundër Burrelit. I ardhur te kryeqytetasit në janar të këtij viti, luajti disa ndeshje fillimisht dhe pastaj, në kohën e italianit Rodolfo Vanoli, qëndroi vetëm në stol.

denison

Tani është nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe nga më të mirët në Kategorinë e Parë. Trajneri Nevil Dede, duke parë aftësitë e tij me topin, ka preferuar ta vendosë në dyshen e sulmit me Taulant Markun.

Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes së fundit, braziliani u shpreh i bindur se Dinamo do të bëjë gjëra të mëdha këtë sezon.

“Gjërat po shkojnë shumë mirë në këtë kampionat, ambienti është mjaft i mirë gjithashtu dhe unë mendoj se Dinamo do të luftojë për gjëra të mëdha këtë sezon. E kemi treguar në këto tri ndeshje të para të kampionatit. Është hera e parë që luaj në këtë kompeticion dhe kuptohet që nuk është si në Superiore. Por nuk ka shumë rëndësi, ne duhet të luftojmë për ta çuar Dinamon sa më parë në Superiore, aty ku e meriton të jetë ky klub”, tha fillimisht 24- vjeçari.

SULMI– Nuk kishte si të mos fliste për rolin, por edhe “rivalitetin” me Markun.

“Po ndihem shumë mirë në pozicionin që po luaj. Në këtë rol ndihem vërtet komod dhe po tregoj atë që mund të bëj. Mendoj se do të jetë një sezon vërtet interesant për mua dhe për skuadrën. Rivalitet me Markun për ‘Këpucën e Artë’? Ai është një lojtar shumë i mirë dhe të dy po bëjmë gjëra të mira së bashku. Por e përsëris, rëndësi ka që skuadra të arrijë atë që do, të tjerat vijnë më pas”, shtoi numri 10 i bluve.

VANOLI – Për ish-trajnerin e bluve, Rodolfo Vanolin, që e gozhdoi në stol, braziliani reagon me diplomaci: “Vanoli? Nga Italia? Jo, nuk dua të them asgjë, është më mirë të mos flas për këtë pjesë”.

KONKURRENCA – Parashikohet garë e fortë dhe Denison e di këtë, aq sa si “rivalë” zgjedh ekipet që zbritën nga elita.

“Po, e di që ka disa skuadra me emër në Kategorinë e Parë, që më parë kanë luajtur në Superiore dhe që janë të mira. Ata do të jenë rivalët tanë deri në fund garës dhe do të shohim se kush do të ngjitet më lart. Gjithsesi, në mendojmë vetëm për skuadrën tonë, jo për të tjerët. Po ecim shumë mirë tani në fillim dhe jemi të kënaqur”, theksoi braziliani.

E ARDHMJA – Tregohet i rezervuar kur pyetet për të ardhmen, por troç e thotë që vëmendja tani është te Dinamo.

“Ne asnjëherë nuk e dimë çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe nuk mund të flas tani. Për momentin, jam i fokusuar vetëm te Dinamo. Në futboll asnjëherë nuk e di se çfarë do të ndodhë. Gjërat ndryshojnë shumë shpejt, të çojnë lart apo poshtë, kështu që të ardhmen le t’ia lëmë kohës”, përfundoi Denison.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"