Mbrojtja e Vllaznisë bëhet problem, Brdariç në ankth edhe për Krymin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 15:35

Mbrojtja e Vllaznisë bëhet problem, Brdariç në ankth edhe për Krymin

Vllaznia po tregon luhatje të mëdha në këtë fillim sezoni, por ajo që shqetëson më shumë stafin teknik është pësimi i shumë golave. Në pesë ndeshjet e para skuadra ka pësuar plot 10 gola duke qenë mbrojtja e dytë më e dobët e kampionatit. Humbja e fundit 2-0 ndaj Kukësit zhgënjeu shumë drejtuesit kuqeblu për vetë faktin se ekipi vinte nga një fitore spektakolare 6-3 kundër Dinamos, paçka se gjithashtu kishte pësuar edhe aty tre gola.

vllaznia

Deri më tani shkodranët nuk kanë nxjerrë topin nga rrjeta e tyre vetëm në ndeshjen e luajtur në transfertë ndaj Skënderbeut, që përfundoi 0-0. Skuadra që ka sulmin më të mirë me 13 gola, po aq sa edhe Kukësi, ka gjithashtu mbrojtjen më të dobët dhe ky është një problem që trajneri Tomas Brdariç po kërkon ta korrigjojë për vazhdimësinë.

Ai po punon që Vllaznia të mbrojë si skuadër dhe jo t’i mbetet e gjithë përgjegjësia repartit të prapavijës. Mbrojtja nuk ka gjetur stabilitet këtë sezon edhe prej dëmtimeve apo pezullimeve të lojtarëve. Mirëpo, edhe kur në ndeshjen ndaj Kukësit ishte në fushë katërshja që konsiderohet fikse si Gurishta në të djathtë, Adili dhe Dianje në qendër, si dhe Hakaj në të majtë, sërish Vllaznia futi “ujë”.

Mirëpo, përveç humbjes, ajo u bë më e rëndë, pasi kapiteni Erdenis Gurishta u ndëshkua me karton të verdhë dhe plotësoi numrin katër të tyre duke humbur kështu ndeshjen e radhës ndaj Tiranës, që do të luhet të shtunën në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

gurishta

Sipas të gjitha gjasave, Brdariç do të rikthejë në krahun e djathtë të mbrojtjes Arsid Krujën, i cili ndaj Kukësit e nisi nga stoli. Mungesë e sigurt ndaj Tiranës do të jetë edhe mesfushori boshnjak, Zinedin Mustedanagiç, i cili u ndëshkua me të kuq në takimin e fundit.

MESFUSHORI – Ndaj Kukësit nuk u aktivizua Ardit Krymi duke prishur jo pak planet e Brdariç për mesfushën. Lojtari shkodran, për shkak të problemeve shëndetësore të shfaqura pak orë para ndeshjes, nuk ishte i gatshëm dhe tani shpresohet që deri të shtunën të jetë në 100 %.

Rëndësia që ka një lojtar si Krymi në lojën e Vllaznisë u konfirmua edhe me Kukësin, teksa Heriç dhe Jonuzi vuajtën jo pak në duelet me kundërshtarët. Rikthimi i 25- vjeçarit do të ishte një lajm i mirë për Brdariç në prag të një ndeshjeje të rëndësishme si kjo me Tiranën.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"